Irani po kryen ekzekutime me një shkallë alarmante, duke vrarë të paktën 419 persona në shtatë muajt e parë të vitit, tha shefi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në një raport të ri.
Kjo është një rritje prej 30% nga e njëjta periudhë e vitit 2022.
Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres tha në raportin drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së mbi situatën e të drejtave të njeriut në Iran, se shtatë burra u ekzekutuan në lidhje me ose për pjesëmarrje në protestat mbarëkombëtare, të shkaktuara nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini në shtator 2022, e cila u kap nga policia e moralit pa shaminë e saj në kundërshtim me kodin islamik të veshjes.
Në të shtatë rastet, informacioni i marrë nga zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut tregon vazhdimisht se procedurat gjyqësore nuk përmbushnin kërkesat për një proces të rregullt dhe një gjykim të drejtë sipas ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut.
Qasja në përfaqësimin ligjor adekuat dhe në kohë u refuzua shpesh, me raporte për rrëfime të detyruara, të cilat mund të ishin marrë si rezultat i torturës.
Ai tha se 239 njerëz, më shumë se gjysma e atyre që u ekzekutuan në periudhën shtatë mujore, thuhet se u dënuan me vdekje për vepra të lidhura me drogën, një rritje prej 98% nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Guterres shprehu shqetësim të thellë për mungesën e hetimeve transparente dhe të pavarura për shkeljet e raportuara të të drejtave të njeriut, veçanërisht në kontekstin e protestave të fundit mbarëkombëtare.
Ai tha se shënjestrimi i vazhdueshëm i avokatëve po pengon gjithashtu përgjegjësinë për shkeljet e kaluara dhe ato të vazhdueshme.
Sekretari i Përgjithshëm citoi informacionin e marrë nga agjencia e të drejtave të OKB-së se midis 17 shtatorit 2022 dhe 8 shkurtit 2023, rreth 20 mijë individë u arrestuan për pjesëmarrje në protesta.
Qeveria tha se “minimumi” 22 mijë persona të arrestuar gjatë protestave u falën, por Sekretari i Përgjithshëm tha se ishte e vështirë të verifikohej numri i arrestimeve dhe lirimi.
Guterres shprehu shqetësimin se një numër individësh që u falën më pas morën thirrje për akuza të reja ose u arrestuan sërish, duke përfshirë aktiviste gra, gazetare dhe anëtarë të grupeve minoritare. Ai përmendi raste të raportuara të përdorimit joproporcional dhe të tepruar të forcës kundër protestuesve, dhe rrahje dhe dhunë seksuale pasi ata u vunë në paraburgim, si dhe dhunë psikologjike.
Sipas informacionit të marrë nga Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, tre aktore të njohura femra që u shfaqën të zbuluara në publik - Azadeh Samadi, Afsaneh Bayegan dhe Leila Bolukat, u dënuan për mosmbulimin e flokëve, tha Guterres.
Atyre iu dhanë një sërë dënimesh, “përfshirë burgim nga 10 muaj deri në dy vjet, pjesëmarrje në seancat javore të këshillimit, kryerjen e detyrave të pastrimit të spitalit dhe sigurimin e një “certifikate të shëndetit” pas përfundimit.



