Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar në lidhje me lëshimin e raketës së fundit nga Koreja e Veriut. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat nga kjo ministri thuhet se një veprim i tillë është shkelje e hapur e të drejtës ndërkombëtare dhe rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
"Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë dënon në termat më të ashpër lëshimin e një rakete balistike me rreze të mesme të kryer sot nga Republika Popullore Demokratike e Koresë. Kjo shkelje e hapur, e përsëritur, e të drejtës ndërkombëtare dhe e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së tregon se regjimi koreanoverior është i vendosur të vazhdojë të sfidojë komunitetin ndërkombëtar duke përshkallëzuar më tej tensionin në rajon dhe kërcënuar në mënyrë serioze sigurinë globale. Qeveria shqiptare i bën thirrje RDPK të ndalojë menjëherë provokimet dhe të kthehet në tryezën e bisedimeve si rruga e vetme për një zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme në gadishullin Korean".



