
Sot në orën 09:00 do të nisë zyrtarisht dhe procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga listat e partive politike. Procesi i numërimit nisi ditën e djeshme për disa qendra votimit mirëpo u ndërpre në orën 00:00, për të rinisur ditën e sotme në orën 09:00.
Deri tani procesi i numërimit të votave ka përfunduar vetëm në Bashkinë Poliçan, ku kandidati më i votuar është Blendi Klosi me 1833 vota. Kandidati për deputet më i votuar në vend, deri tani, është vetë kryeministri Edi Rama.
Në listën e Vlorës, Rama ka marrë 10 mijë e 117 vota, duke thyer edhe herësin e votave. I dyti në radhë vjen Flamur Hoxha, nga lista e PD-së në Kukës.
Gara për kandidatët në Tiranë
Vota nominale për kandidatët duket se do të ofrojë surpriza në të gjithë vend. Nga shifrat e dala deri më tani ka të dhëna interesante për të gjitha partitë.
Sa i përket Kryeqytetit duhet thënë se surpriza më e madhe është në listën e PD-së. Udhëheq kreu i FRPD-së Belind Këlliçi me 883 vota, i ndjekur nga Lulzim Basha 279 vota, më pas vjen Agron Shehaj me 193 vota, Orjela Nebijaj 155, Fatmir Mediu 135, Sali Berisha ka vetëm 98 vota nga kutitë e numëruara.
Ndërsa në Partinë Socialiste kryeson bindshëm Belinda Balluku, e cila ka 2140 vota, e ndjekur nga Fatmir Xhafaj me 622. Ndërkohë që Majko i cili deri tani nuk ka mandat deputet ka vetëm 75 vota.
Në LSI kryeson Floida Kërpaçi e LRI me 140 vota, e ndjekur nga Kreyemadhi me 51 vota.
Votat për kandidatët, në Vlorë mbeten edhe 92 kuti nga 445!
Në Qarkun e Vlorës ka ecur me ritme shumë të shpejta edhe numërimi i votave për kandidatët. Deri tani janë numëruar 352 kuti nga 445.
Në Partinë Socialiste Kryeministri Rama dhe drejtuesin politik Gjiknuri që kryesojnë. Rama madje ka kaluar herësin. Ndërkohë që në PD kryeson Bujar Leskaj. Në asnjë prej listave nuk ka ndonjë kandidat që mund të thyejë herësin dhe të bëjë surprizën!
Në Elbasan i preferuari nga PS është Hasalla, Luçiano Boçi 'luftë' të fortë
Nga 511 kuti deri më tani në Qarkun e Elbasanit janë numëruar vetëm 207. Në Partinë Socialiste kryeson Saimir Hasalla, më pas vijnë Taulant Balla me 5541, Besion Ajazi 4980 vota. Por të gjithë këta në listën aktualisht fituese. Nga lista poshtë numrit të mandateve të marra deri tani është vetëm kandidati Shkëlqim Bullari me 1790 vota që mund të bëjë garë të fortë.
Sa i përket PD-së që çon 4 deputetë në Kuvend, listën e kryeson Dashnor Sula me 5406 vota por ka një kandidat, Luçiano Boçi i cili mund të thyejë herësin me 3270 votat e tij, por që është shumë e vështirë.



