Sekretari i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, Ervin Bushati, thotë se kriza politike në vend mund të jetë duke ecur drejt zgjidhjes. Në një intervistë për Tema TV, Bushati thotë se më mirë se çdo gjë tjetër këtë e tregon fakti që opozita i uli tonet në protestën e së shtunës. Bushati thekson se kjo është edhe meritë e ndërkombëtarëve, të cilët sipas tij e kanë bërë opozitën të kuptojë se i kishte hyrë një rruge të rrezikshme për vendin.
“Opozita në protestën e të shtunës nuk përdori akte dhune. Opozita bëri gabim të madh që la mandatet, bëri gabim katastrofik që vendosi të mos hyjë në zgjedhje. Mendoj që do ta rimendojë, por do të bëjë gabim ligjor dhe të pakthyeshëm nëse do të pengojë zgjedhjet. Jemi në rrugën e zgjidhjes. Të shtunën, po të shikosh, opozita i ka ulur tonet. Falënderojmë partnerët ndërkombëtarë që i bënë të kuptojnë që rruga të cilës i kishin hyrë ishte e rrezikshme për vendin”, tha ai.



