Ekipi i MCN prej dy ditësh ndoqi tensionet në Komunat serbe në Veri të Kosovës. Gazetari Andon Kello rrëfeu në studion e MCN Live peripecitë dhe kërcënimet që hasën mediat jo vetëm shqiptare por dhe ndërkombëtare nga protestuesit serbë.
Ai tha se e vetmja rrugë për të shkuar drejt komunave serbe ishte nëpërmjet lagjes së boshnjakëve në Mitrovicë, ndërsa nuk mungonin presionet nga eksponentë të rrezikshëm në Zveçan.
Rrugëtimi ishte shumë i vështirë. Fillimisht nuk na u lejua depërtimi drejt Mitrovicës së Veriut, ura e Ibrit ishte e bllokuar, e vetmja rrugë ishte nëpërmjet lagjes së boshnjakëve. Kur shkuam në Zveçan, të martën, u ndeshëm me një ambient aspak miqësor. Serbët ishin shumë kërcënues. Kishte eksponentë të rrezikshëm, dyshimet janë për agjentë serbë, të cilët të dallonin nga larg që ishe shqiptar. Një nga qëllimet e tyre ishte pengimi i raportimit të së vërtetës, aty e vërteta s’kishte lidhje me situatën. Kur hyra në turmën e protestuesve për të pyetur serbët, të gjithë kthenin shpinën, ndërsa një eksponent rreth të 40-ve i veshur ushtarak me fizikisht i kalitur më dalloi menjëherë dhe mu drejtua me fjalët “Pushti Albanski” dhe më bënte me shenjë të hiqja kamerën. Sulmet nga mediave shqiptare ishin të organizuara, jo rastësore.
Kello tregon se u këshilluan nga shqiptarë në Mitrovicë që të jenë shumë të kujdesshëm në Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, madje të mos konsumonin nga duart e serbëve pasi kishte rrezik për helmim.
Serbët ishin aspak miqësorë. Askush nuk të fliste. Madje edhe në markete e lokale nuk të shërbenin. Në Mitrovicë, një shqiptar i cili kishte shërbyer në Zveçan prej 10 vitesh na informoi të mos hanim e pinim në Serbi sepse kishte rrezik për helmim, me metoda shumë të sofistikuara. Sulmet e serbëve ishin të organizuara, fillimisht krijonin tension në qendër tek protesta, ndërsa incidentet ndodhin në periferi. U sulmuan 4 automjete mediash shqiptare, vetëm ne jo dhe nuk e kuptoj vërtet arsyen se si kemi shpëtuar. Por nuk ndodhte vetëm me ne, mediat ndërkombëtare gjithashtu u kërcënuan dhe prej të hënës u tërhoqën nga komunat serbe duke shkuar për të raportuar në urën e Ibrit. Ata më treguan se ishte një situatë e pazakonshme.
Më tej, gazetari Kello tha se për tu kamufluar në ditën e fundit në Zveçan hoqën targat e automjetit duke lënë vetëm logon dhe nuk flisnin shqip. Situata tashmë është qetësuar në Veri të Kosovës pas pranimit të zgjedhjeve të parakohshme parimisht në 4 komunat në Veri, por protestat pritet të vijojnë.



