Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u takua në Bratislavë me Zv.Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajcak, vendi i të cilit mban dhe presidencën e radhës së BE-së. Meta informoi Lajcak mbi miratimin me konsensus të paketës kushtetuese të reformës në drejtësi.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u takua në Bratislavë me Zv.Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajcak. Kreu i Kuvendit e njoftoi Lajcak mbi ecurinë e reformës në drejtësi dhe kalendarin e miratimit e ligjeve të tjera që e bëjnë këtë reformë efektive, duke filluar me ligjin për Vettingun. Gjatë takimi, Kryetari i Kuvendit theksoi se fryma e konsensusit që u demonstrua gjatë miratimit të kësaj reforme do të vazhdojë edhe me ligjet e tjera. Sakaq, Meta vlerësoi mbështetjen që Sllovakia i jep proceseve integruese të Shqipërisë dhe perspektivës së saj evropiane dhe shprehu besimin se me miratimin e ligjeve në kuadër të reformës në drejtësi dhe implementimin e suksesshëm të saj Shqipëria do të marrë një rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian per fillimin sa me parë të negociatave për anëtarësim.
Kryetari i Kuvendit vlerësoi presidencën sllovake për vëmendjen që i kushton zgjerimit dhe integrimit në BE të vendeve të Ballkanit, dhe garantoi se Shqipëria do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për përmbushjen e pesë prioriteteve. Lajcak shprehu besimin se politika e zgjerimit nuk do të ndikohet nga zhvillimet e fundit në Evropë dhe inkurajoi Shqipërinë të thellojë reformat, duke filluar me zbatimin e suksesshëm të reformës në drejtësi.



