Presidenti i SHBA-ve Joe Biden ka nisur udhëtimin e tij të parë zyrtar jashtë vendit me një paralajmërim në Rusi se ajo do të përballet me pasoja "të fuqishme dhe kuptimplota" nëse përfshihet në "veprimtari të dëmshme".
"Shtetet e Bashkuara do t’i përgjigjen në mënyrë të fuqishme dhe kuptimplote Rusisë , sa herë që ajo të përfshihet në aktivitete të dëmshme. Unë dua të komunikoj se ka pasoja për çdo shkelje të sovranitetit dhe demokracive, në Shtetet e Bashkuara, në Evropë apo gjetkë."
Teksa takoi personelin e shërbimit amerikan në bazën e Forcave Ajrore Mbretërore Mildenhall në Britanin e Madhe, Biden tha se nuk kërkonte konflikt me Rusinë.
"Ne duam një marrëdhënie të qëndrueshme, të parashikueshme me Rusinë. Shtetet e Bashkuara janë kthyer dhe demokracitë e botës po qëndrojnë së bashku për të trajtuar sfidat më të vështira dhe çështjet që kanë më shumë rëndësi për të ardhmen tonë"
Z. Biden e bëri të qartë qëllimin e tij për të forcuar lidhjet me aleatët e SHBA, pas marrëdhënieve të tensionuara nën administratën Trump. Presidenti Biden mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar gjatë të mërkurës. Ai do të takohet me Kryeministrin Boris Johnson për të rënë dakord për një "Kartë të Atlantikut" të ri.
Pakti do të jetë një version modern i atij që ra dakord midis Winston Churchill dhe Franklin Roosevelt në 1941, me një fokus në sfidat përfshirë ndryshimin e klimës dhe sigurinë. Redaktorja politike e BBC, Laura Kuenssberg, thotë se të dy synojnë të rifreskojnë një marrëdhënie jetike, pas trazirave të viteve të Trump dhe presioneve të pandemisë.

Gjatë një vizite tetë ditore Europiane, Z. Biden do të takojë Mbretëreshën në Kalanë Windsor, do të marrë pjesë në një takim të udhëheqësve të G7 dhe do të bashkohet me samitin e tij të parë të NATO-s si president.
Në fund të udhëtimit të tij Z. Biden do të takohet me Presidentin rus Vladimir Putin në Gjenevë. Shtëpia e Bardhë ka treguar se ai synon të mbulojë një "gamë të plotë të çështjeve të ngutshme" me homologun e tij rus, duke përfshirë kontrollin e armëve, ndryshimin e klimës, përfshirjen ushtarake ruse në Ukrainë, aktivitetet kibernetike të Rusisë dhe burgosjen e disidentit rus Alexei Navalny.
Z. Biden tha se "në çdo pikë" gjatë udhëtimit të tij të parë jashtë shtetit si president ai donte të bënte të qartë se "Shtetet e Bashkuara janë kthyer dhe demokracitë e botës po qëndrojnë së bashku për të trajtuar sfidat më të vështira dhe çështjet që kanë më shumë rëndësi për të ardhmen".



