Ideja e bashkimit kombëtar, pavarësisht realitetit aktual politik e territorial, vazhdon të mbetet një nga aspiratat më të fuqishme të shqiptarëve në të dy anët e kufirit, njerëz që flasin të njëjtën gjuhë, ndajnë të njëjtën traditë, zakone dhe histori.
Profesori dhe studiuesi Ridvan Peshkopia, i ftuari i Mustafa Nanos në emisionin “Arnautistan”, theksoi se bashkimi kombëtar është, para së gjithash, një projekt politik.
Sipas tij, ky projekt është ai që e shndërron etninë shqiptare në një komb.
Nëse flasim për bashkim kombëtar, duhet të dalim përtej bashkimit të thjeshtë mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Bashkimi kombëtar nënkupton përfshirjen e të gjitha territoreve me shumicë shqiptare, edhe ato jashtë këtyre dy shteteve.
Por, në një kuptim më të ngushtë, termi përdoret për të përshkruar pikërisht ribashkimin e shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë.
Peshkopia thekson se ideja e bashkimit kombëtar është trashëguar si një "amanet" nga brezat e mëparshëm.
Ai argumenton se kuptimi i kombit është një etni që ka një projekt politik të vetin.
Nëse një etni nuk ka një projekt politik, ajo nuk mund të quhet komb. Pikërisht ky projekt politik është ai që e ka bërë etninë shqiptare në një komb: një bashkim i shqiptarëve brenda një shteti.
Shembulli i arbëreshëve në Itali apo arvanitëve në Greqi e përforcon këtë ide.
Edhe pse ata janë pjesë e etnicitetit shqiptar, nuk janë pjesë e kombit shqiptar, sepse nuk janë pjesë e projektit politik shqiptar.
Sipas Peshkopisë, shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë janë një etni sepse ndajnë një histori të përbashkët, një gjuhë, kujtesë kolektive, si dhe elementë të përbashkët socialë, kulturorë dhe psikologjikë.
Kombi shqiptar nuk është formuar në mënyrë tradicionale brenda kufijve të Shqipërisë së sotme, por është konceptuar dhe ndërtuar jashtë saj, në qendrat kulturore dhe politike të Stambollit dhe Sofjes.
Gjeografia e vështirë e trojeve shqiptare, me male e lugina që ndanë popullsinë për shekuj, e vonoi procesin e ndërtimit të shtetit shqiptar, por në fund ky bashkim ndodhi përmes një projekti politik të përbashkët.



