Friedrich Merz, politikani veteran 69-vjeçar gjerman me një qëndrim të ashpër ndaj migracionit dhe një dashuri për aviacionin, është favorit për t'u bërë kancelari i ardhshëm i vendit në zgjedhjet federale të 23 shkurtit.
Por kush është konservatori i shkollës së vjetër që dëshiron të çlirojë partinë e tij, Unionin Demokristian, CDU, nga trashëgimia qendrore e ish-lideres Angela Merkel? Pasi dështoi dy herë për të marrë udhëheqjen e parties, ai ia doli të zgjidhej kreu i CDU-së në vitin 2022.
Pas rënies së koalicionit qeverisës në Gjermani, të përbërë nga Social-Demokratët e SPD, dhe Partia Demokratike e Lirë, FDP, dhe të Gjelbrit, iu hap rruga zgjedhjeve të parakohshme dhe ëndrrës së Mertz për të qenë kancelar.
Nëse partia e tij del në krye, Merz do të marrë drejtimin e një vendi të zhytur në kriza megjithëse mund të duhen javë për të formuar një koalicion qeverisës. Ai është zotuar të ringrejë ekonominë e madhe të Gjermanisë pas vitesh stanjacion, të godasë migrimin dhe të vendos taksa të ulëta, në një përpjekje për të mos i lënë terren të djathtës ekstreme.
Merz lindi në vitin 1955 në një familje katolike konservatore në qytetin Brilon të Rhein-Westfalisë së Veriut, në Gjermaninë qendrore, dhe iu bashkua të rinjve CDU-së ndërsa ishte ende në shkollë. Ai hyri me kohë të plotë në politikë në vitin 1989, kur u zgjodh në Parlamentin Evropian në moshën 33-vjeçare.
Pasi shërbeu një mandat si eurodeputet, Merz, i martuar dhe baba i tre fëmijëve, u zgjodh në Bundestag, parlamenti gjerman, dhe ishte lider në politikën financiare. Në vitin 2003, ai argumentoi në mënyrë të famshme se rregullat gjermane të taksave duhet të llogariten në mënyrë të thjeshtë
Megjithatë, një mospajtim gjithnjë e në rritje me Merkelin përfundimisht e shtyu atë të largohej nga politika. Merz, i cili i përgjigjej fraksionit më tradicional të së djathtës brenda CDU-së, humbi ndaj Merkelit në një garë për udhëheqjen e partisë në vitin 2000.
Merkeli u shkëput nga normat tradicionale të CDU-së. Vlen për t’u theksuar që ajo ishte liderja e pare grua me prejardhje protestante, jo katolike, dhe me një prirje më centriste në politika. Rivaliteti i dyshes u bë më i dukshëm në vitin 2002, kur Merz u mënjanua si lider i opozitës në Bundestag në favor të
Merkelit. Nga fundi i vitit 2009, Merz i ishte bashkuar plotësisht sektorit privat. Ai ka punuar si avokat dhe këshilltar i lartë në firmën ligjore ndërkombëtare Mayer Brown, ndër të tjera.
Këto sipërmarrje e bënë atë një multi-milioner, sipas gazetës gjermane të biznesit Handelsblatt. Ky sfond mund t'i ketë bindur votuesit se Merz është një njeri që mund të bëjë biznes; një aftësi e dëshirueshme për këdo që shpreson të rregullojë ekonominë më të madhe të Evropës, e cila u tkurr për të dytin vit radhazi në 2024.
Nëntë vjet pasi ishte larguar nga politika, njoftimi i dorëheqjes së Merkelit nga posti kryesor i Gjermanisë i hapi rrugën Merz-it për të rihyrë në lojë. Pas dy ofertave të dështuara për udhëheqjen e partisë CDU, në 2018 dhe 2021, ai u përzgjodh për të udhëhequr në 2022, duke çimentuar rikthimin e tij politik.
Në një intervistë me transmetuesin gjerman ZDF në vitin 2019, ai kritikoi politikën e dyerve të hapura për refugjatët gjatë krizës së emigrantëve të vitit 2015 si një gabim të rëndë. Merkel, nga ana e saj, e kritikoi Merz-in, për miratimin në mënyrë të paprecedentë të një projekt-ligji për imigracionin, me ndihmën e votave të ekstremit të djathtë, AfD.
Projektligji u rrëzua përfundimisht nga parlamenti gjerman. Megjithatë Merz ka theksuar herë pas here se nuk do të ketë bashkëpunim me AfD-në. Sipas revistës gjermane të lajmeve Der Spiegel, Merz ndjek një linjë të ashpër ndaj imigracionit dhe e sheh frenimin e migracionit të parregullt në Gjermani si detyrën më të ngutshme nëse ai zgjidhet. Ai ka bërë thirrje që azilkërkuesit që vijnë nga vende të tjera anëtare të Bashkimit Evropian të refuzohen në kufijtë tokësorë të Gjermanisë.
Merz ka kritikuar përfitimet liberale të mirëqenies dhe ka akuzuar refugjatët ukrainas për “turizëm social”, një frazë për të cilën është detyruar të kërkojë ndjesë më vonë.
Në përgjithësi, ai premton të ulë shpenzimet për mirëqenien, gjë që e ka theksuar edhe në një intervistë për “The Economist”, ku shprehet se dëshiron të shmangë pagat për njerëzit që s’janë të gatshëm të punojnë. Në kohën e tij të lirë, Merz është një pilot amator, ku i pëlqen të fluturojë me avionin e tij privat, një hobi luksi për dikë që e përshkruan veten si njeri “i klasës së mesme të lartë”.



