Pas një takimi maratonë që zgjati tre ditë, liderët e BE-së kanë zgjedhur pesë figurat kyçe që do të drejtojnë unionin përgjatë një mandati. Zgjedhjet europiane pasohen me emra të rinj në pozicionet më të rëndësishme të asaj që njihet ndryshe si qeveria e Europës dhe sjellin ndryshime edhe në përbërjen e institucioneve.
Ursula von der Leyen do të drejtojë Komisionin Europian. Ajo vjen nga radhët e CDU-së, partia e Angela Merkelit në Gjermani, dhe ka shërbyer si ministre e Mbrojtjes që prej vitit 2013. Ajo është një federaliste e bindur dhe beson në formimin e shteteve të bashkuara të Europës dhe një ushtrie afatgjatë europiane.
Charles Michel do të drejtojë Këshillin e Europës. Kryeministri i Belgjikës është djali i Luis Mishel, ish-komisioneri europian për zhvillimin dhe ndihmat humanitare. Në rrethet e politikës belge, ai përshkruhet si një njeri që nuk ka ndonjë vizion të gjerë, por e kompenson këtë me aftësinë për të bërë marrëveshje.
David Sassoli është zgjedhur në krye të Parlamentit Europian. Gazetar në profesion, ai ka mbajtur detyrën e eurodeputetit prej 10 vitesh. Ai e ka cilësuar virus nacionalizmin ekstrem dhe ka kërkuar reformimin e ligjeve që rregullojnë emigracionin dhe azilin politik.
Josep Borrell është shefi i ri i politikës së jashtme të BE-së. Kryediplomati spanjoll rikthehet në politikën e lartë europiane pasi ka drejtuar Europarlamentin në vitet 2004-2007. Ai është një mbrojtës i zëshëm i të drejtave të njeriut dhe të komunitetit LGBT.
Christine Lagarde do të drejtojë Bankën Qendrore Europiane. Ish-shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar që prej vitit 2011 e ka nisur karrierën si avokate dhe më pas i është futur politikës. Më parë, 63-vjeçarja Lagarde ka mbajtur disa poste të rëndësishme në qeverinë franceze.
Zgjedhja e liderëve të rinj të institucioneve europiane përkon me presidencën finlandeze, e cila nis në tetor. Ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, është shprehur se fokusi i presidencës do të jenë politikat e zgjerimit, në mënyrë të veçantë Ballkani Perëndimor.
“Këshilli do të vijojë të ketë në konsideratë rekomandimet e Komisionit për hapjen në vjeshtë të negociatave të pranimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Finlanda është e bindur në ndërmarrjen e këtij hapi”, ka thënë ai.
Si vendi me peshën më të madhe në BE, Gjermania kërkon një rol më të madh për Poloninë, Italinë dhe Spanjën. Kreu i diplomacisë europiane, Heiko Maas, është shprehur se pas largimit të Britanisë, BE-ja nuk mund të bazohet vetëm te autoriteti franko-gjerman.
“Ne duhet t’u japim pjesë më të madhe të përgjegjësisë vendeve si Italia, Spanja dhe Polonia. Dhe ky bashkëpunim duhet të jetë pragmatik”, ka deklaruar ai. /Gazmira Sokoli/



