
Pavarësisht argumenteve kundër të sjella nga grupet e interesit dhe opozita, mazhoranca ka miratuar në komisionet parlamentare dhe të enjten do të votohet në Parlament projektligji për negocimin e kontratës për ndërtimin e Teatrit Kombëtar. Projektligji u miratua nen për nen në komisionin përgjegjës, atë të Veprimtarisë Prodhuese.
E gjithë mbledhja e zhvilluar pasditen e së martës u shoqërua me debate me tone të larta dhe me ndërprejen të mbledhjes.
Debati u ndez pas fjalës së marrë nga aktorit Bruno Shllaku, i cili u shpreh pro prishjes së godinës. Deputetët e opozitës dhe artistët e tjerë në sallë iu drejtuan me tone të larta aktorit. Të enjten, projektligji për Teatrin do të kalojë në Parlament dhe pritet të miratohet me shumicë të thjeshtë.
Më pas drafti do të kalojë për dekretim tek Presidenti i Republikës, për të vijuar më pas me ngritjen e komisionit të negocimit nën drejtimin e Bashkisë së Tiranës për nisjen e negociatave me palën private për ndërtimin e Teatrit të ri. Në përbërje të komisionit do të jenë përfaqësues të katër ministrive, si dhe një i Avokaturës së Shtetit dhe 2 përfaqësues të trupës së aktorëve.



