
Komisioni Qendror Zgjedhor në mbledhjen e mbajtur sot ka caktuar fushatën zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme.
Kryetarja e këtij komisioni Valdete Daka ka thënë se fushata zgjedhore fillon me 25 shtator, dhe zgjat vetëm dhjetë ditë.
“Fushata Zgjedhore fillon me 25 shtator, përfundon me 4 tetor. Janë dhjetë ditë fushatë. Po ashtu aplikimi për regjistrim si votues jashtë Kosovës fillon me 30 gusht deri me 10 shtator”, ka thënë Daka.
Ndryshe për këto zgjedhje sipas KQZ-së nevojiten rreth 6 milion euro, ku ky Komision ka kërkuar nga institucionet të mos vonohet alokimi i këtyre mjeteve.
Ilir Gashi nga Këshilli për Buxhet dhe Financa në KQZ, ka shtuar se çështja e buxhetit duhet të trajtohet sa më shpejt dhe institucionet nuk duhet t’i vonojnë mjetet.
“Kemi trajtuar buxhetin që na duhet, mbi 5 milionë euro. Duket një rritje e kërkesës së buxhetit sepse është konsideru rritja e pagesave për trajnerë, kryesues të qendrave të votimit. Duhet të trajtohet sa më shpejtë sepse institucionet nuk duhet të na vonojnë për mjetet “, ka thënë ai.
Ndërkaq kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se janë në pritje të buxhetit.
“Presim që ky buxhet i kërkuar të alokohet për ne. Nëse s’kemi para. i zhvillojmë procedurat vetëm deri aty ku na mundësojnë procedurat ligjërisht”, ka thënë ai.
Gjatë mbledhjes gjithashtu KQZ ka miratuar kërkesën ndaj Qeverisë për ndarjen e 5 milionë eurove.
Ndryshe afati për deklarimin e koalicioneve do të jetë deri në orën 00:00 të datës 30 gusht.



