Gjykata e Qarkut të Jerusalemit ka pranuar kërkesën e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të anuluar tre seancat e planifikuara për këtë javë në gjyqin e tij për korrupsion.
Kryeministrit sot i duhet të kryejë operacionin e prostatës dhe do të qëndrojë në spital për disa ditë, shkruan Times of Israel.
“Seancat duhet të rifillojnë javën e ardhshme, të hënën më 6 janar”, thotë gjykata e cila i uron Netanyahut shërim të shpejtë.

Avokati i kryeministrit izraelit kishte paraqitur kërkesë për anulimin e seancave të kësaj jave, duke theksuar se kryeministri do të operohet me anestezi të përgjithshme dhe do të qëndrojë në spital për disa ditë.
Netanyahu filloi të dëshmojë më 10 dhjetor dhe që atëherë është paraqitur në gjykatë gjashtë herë për t’iu përgjigjur akuzave kundër tij për korrupsion, mashtrim dhe shkelje të besimit.



