
Profesori i Universitetit të Prishtinës, Bujar Dugolli, për caktimin e 18 dhjetorit si datën e mbajtjes së zgjedhjeve në katër komunat e veriut të Kosovës, pas braktisjes së institucioneve nga zyrtarët serb, thotë se janë katër komuna me shumicë serbe ato ku do mbahen zgjedhjet, por saktëson se në to ka edhe shqiptarë, boshnjakë, rom dhe përkatësi të tjera kombëtare.
Në një lidhje me studion e lajmeve të MCN Tv, ai deklaroi se përfaqësuesit e këtyre komuniteteve kanë dhënë dorëheqjen nga përfaqësitë komunale, çka ka bërë që Presidentja Vjosa Osmani të caktojë datën e zgjedhjeve.
Ka dhe parti të tjera serbe përveç Listës Serbe që dirigjohet nga Beogradi që kanë shprehur kritika për dorëheqjen. Si do jetë pjesëmarrja në ato komuna nuk e dimë, i bëjmë thirrje dhe komuniteti serb të marrin pjesë në proces që të zgjedhin përfaqësuesit e denjë.
Serbët kanë mundësi të zgjedhin përfaqësuesit e vetë dhe mos t’i braktisin jo si ata që i zgjodhën dhe i braktisën. Presim ndryshim qëndrimi se nuk janë të gjithë serbët në veri të Kosovës me Listën Serbe.
Nuk është apriori ajo që thonë ata, e saktë në terren. Sipas Kushtetutës së Kosovës, do ketë zgjedhje, mbetet të shihet sa do përgjigjen por janë mekanizma që do vlerësojnë dhe do bëjnë përgatitje për të pasur një proces pa kërcënime.
Forcat e rendit duhet të jenë aktive që të mos pengohet procesi. Është detyrë e Prishtinës që të ketë pjesëmarrje të pranueshme që të ketë përfaqësi të denjë të popullsisë në ato anë.
Mundësinë që zgjedhjet të bëhen shkak për përshkallëzimin e tensioneve, ai e sheh të largët dhe për këtë arsye argumenton se Kosova ka bërë edhe më parë zgjedhje në nivel lokal dhe qendror pa u shoqëruar me probleme serioze.
Në shumicën e komunave me përkatësi etnike serbe, janë prezent në asamble dhe nuk kanë dhënë dorëheqje. Këtu flitet për 4 komuna që janë të vogla, por ndikimi i Beogradit është shumë i madh në këto komuna.
Qeveria e Kosovës dhe institucionet janë duke monitoruar situatën që të mos përshkallëzojë, ka eksponentë të strukturave paralele që marrin instruksione nga Beogradi që të shkaktojnë incidente, por deri tani nuk ia kanë arritur.
Misioni ndërkombëtar EULEX është deklaruar në ndihmë të policisë së Kosovës për të ndihmuar në çdo situatë të nevojshme. Administrata në komuna funksionon.
Komuniteti serb i ka braktisur dhe nga komuniteti serb ka thirrje për të plotësuar vakancat gjë që do shihet pas zgjedhjeve.
Qeveria e Kosovës ka treguar që nuk mund të lejojë që rendi dhe ligji të mos funksionojë në atë pjesë.
Sa i takon vakancave në institucione, Dugolli deklaroi se Policia e Kosovës dhe e Mitrovicës kanë dorëzuar njësitet plotësuese, ku shumica e tyre janë nga shqiptarët, deri sa të përfaqësohen dhe komunitetet e tjera.
Ka dhe nga komuniteti serb. Njësitet kufitare dhe doganat e Kosovës veprojnë pavarësisht largimit të serbëve, vetëm komunar nuk funksionojnë, ndërsa gjykatat kanë bërë zëvendësime.
Lidhur me vendimin e qeverisë së Albin Kurtit për targat, Dugolli tha se Qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj, janë treguar të gatshëm për të diskutuar edhe në procesin e Brukselit, edhe projektin franko-gjerman.
Çështja e shtyrjes në pakufi nuk është zgjidhje! Çdo gjë e ka një fund. Këtë nuk e ka pranuar qeveria e Kosovës, e cila ka aplikuar një masë. Është sikur pala greke të vendosë tabela për Sarandën ose Korçën...
Qeveria e Kosovës nuk mund ta lejojë pa kufi një situatë të tillë. Askush nuk e ka mohuar të drejtën e Kosovës, që të kërkojë respektimin e ligjit, duke kërkuar regjistrimin e mjeteve.
Shtyrja e problemit nuk është zgjidhje, po diskutohet dhe deri në fund të prillit kur do ndalohet përfundimisht përdorimi i tabelave është kohë e gjatë. Kosova ka treguar gatishmëri për të diskutuar, por mungon vullneti i palës tjetër.



