
Inxhinieri Orhan Sakiqi deklaroi në edicionin e lajmeve në MCN TV se ndërtimet shumëkatëshe po e shpërfytyrojnë qendrën historike të Tiranës. Ai vuri në dukje se nuk është kundër ndërtimeve vertikale, por ato mund të bëheshin në bulevardin e ri, dhe jo në qendër e pa kritere urbanistike.
Tirana ka marrë një vrull të madh ndërtimi, bien në sy ndërtimet shumëkatëshe që janë në qendër. Asnjëherë inxhinierët dhe arkitektet s’kanë qenë kundër ndërtimeve të larta. Ndërtimet e larta ruajnë tokën, por po bëhen pa kritere ubranistike. Po ndërtohen të gjitha në qendër duke mos favorizuar qendrën historike. Çdo qytet në botë e ka një qendër të tillë. Këto ndërtime të larta po e shpërfytyrojnë qendrën e Tiranës. Në zgjatim të bulevardit të ri mund të bëheshin. Një pjesë e tyre kanë cilësi të lartë ndërtimi, por zgjedhja urbanistike s’është e mirë”.
Lidhur me Teatrin e ri Kombëtar, Sakiqi u shpreh i mendimit se ai duhet të ndërtohet aty ku ishte dhe ashtu siç ishte. Inxhinieri thotë se teatri i shembur ishte monument i klasit të dytë dhe u prish me qëllim ndërtimin e kullave.
Kundërshtimet e mëdha që u bënë nga Asambleja e Mbrojtjes së Teatrit bënë që të shtyhet çështja. Teatri duhet të bëhet ku ishte dhe si ishte. Ishte monument në ruajtje i klasit të dytë, dhe u prish me disa ligje të miratuara...Në fillim ishte zonë e ruajtur, pastaj u hoq dhe u bë që mund të ndërtohej aty. Është e lidhur me ndërtimin e kullave nga mbrapa, me këtë rast ndërtohet teatri i ri. Me prishjen e teatrit Tiranës i iku një vlerë historike shumë e rëndësishme”.
Sakiqi rrëfen se në bashkëpunim me Maks Velon, ndërtuan ndërtesën më të lartë të Tiranës në vitin 1967, që ishte një godinë 7-katëshe, sipas tij e shembur pa arsye.
Unë dhe Maks Velo kemi ndërtuar ndërtesën më të lartë, 7 kate, në vitin 1967-ën, në 68-ën mbaroi. Ajo ndërtesë u prish me rrezikun e shembjes. Edhe sot e kësaj dite nuk e di pse u prish. Nuk kaloj më andej, u ndjeva shumë keq. 54 vjet, për mua ishte bërë mik me qytetarët e Tiranës. Kolona, fasada në dukje ishte xhamllëk. I ndjeri Maks Veli u dënua për këtë në një mbledhje me arkitektët dhe inxhinierët. U dënua si arkitekturë borgjeze, revizioniste. Pikërisht se ishte nismë e arkitekturës së re të vitit 1967 ajo ndërtesë nuk duhej prishur”.
Ai vë në dukje se sot ndihet i huaj në Tiranë, dhe kullat mbi xhaminë e Et’hem Beut dhe sahatin, i shkaktojnë depresion.
Ndërtesat historinë s’duhen prishur. Këto po bëjnë një gjë, që i heqin monumentet kulture, dhe i prishin. Ato që janë shtetërore s’ka arsye pse të prishen. Te privati ndryshon puna. Shteti duhet të ndërhyjë me ligj që ta kompensojë privatin që ta ruajë. Në qytetin tim po ndihem si i huaj. Ky shpërfytyrim i qendrës sidomos, i xhamisë sahatit, ndërtimi i kullave sipër të shkakton një depresion. Ndërtimet shumëkatëshe rritin dendësinë e metër katrorit. Plani i qendrës së Tiranës ka një shpërfytyrim të tmerrshëm, të pakonceptueshëm”.



