
Kreu i PL Ilir Meta ka mbajtur një fjalim përmes një audio-mesazhi nga burgu në protestën e sotme të opozitës para Kryeministrisë.
Meta tha se në Shqipëri mafia ka shtetin e saj, duke shtuar se dëshmia e Ahmetajt tregon megaaferat tronditëse të Ramës. Meta po ashtu sulmoi SPAK-un duke e konsideruar instrument të Ramës.
“Çdo shtet ka mafien e tij, por në Shqipëri mafia ka shtetin e saj. Kjo dëshmohet publikisht edhe nga dëshmia e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, krahu i djathtë i Ramës për 10 vite në pushtet. Dëshmia e Ahmetajt është historike sepse vjen nga një dëshmitar okular, të disa megaaferave më tronditëse të Edi Ramës. Kjo dëshmi vjen me prova, shkresa zyrtare, por mbi të gjitha me gatishmëri për të dëshmuar edhe para një gjykate ndërkombëtare. Ahmetaj na provoi se si shteti është shndërruar si organizatë kriminale, dhe se si Rama është kryetar i organizatës. Ai na tregoi që SPAK-u është instrument i Ramës që përdoret për mbulimin e krimeve zgjedhore dhe goditjen e opozitës”.
Meta u shpreh se drejtësia e re është mashtrimi dhe korrupsioni më i madh që ka ndodhur.
"Drejtësia e Re" është mashtrimi dhe korrupsioni më i madh që ka ndodhur. Koha e gjykimit u shumëfishua, transparenca u zëvendësua me dhomat e mbyllura.
Për të ndjekur një çështje, tani duhet të paguash. Po kështu harta e re gjyqësore e bëri drejtësinë edhe më të paarritshme edhe më të largët edhe më të pamundur edhe më të shtrenjtë për qytetarët. Ndaj asnjë vend tjetër se pranon këtë eksperiment të turpshëm.
Pse hesht Dumani për çështjen McGonigal që e ka kyçur në sirtar? Ky që më mban mua të izoluar për lobimet e LSI- së në SHBA. Si shpjegohet që ka 2 vite që nuk e thërret njëherë Edi Ramën ta pyesi për McGonigalin edhe pse emri i tij del dhjetëra herë në procesin e McGonigalit dhe këtë e di e gjithë bota. Si shpjegohet që një ish-zyrtar i LSI-së, i cili ka firmosur për lobimet e ka qenë përgjegjës për financat, hyn te Dumani si opozitar e del nga Dumani si rilindas, e bën fushatë për Edi Ramën, ndërsa unë mbahem në burg për firmat e tij.



