
Dje, në Kuvend, Endri Shabani u zgjodh Avokat i Popullit me votat e mazhorancës, ndërkohë që Partia Demokratike kishte tërhequr 35 firmat e saj për këtë kandidaturë.
Analisti Sami Neza, në një intervistë për “MCN Live”, shpjegoi se Shabani arriti të siguronte firmat e PD-së pasi kishte mbështetur Florian Binajn si kandidat për Bashkinë e Tiranës.
Në fillim ishte rënë dakord që në listën e kandidatëve për deputet, një vend do t’i përkiste Adriatik Lapajt dhe tjetri Endri Shabanit.
Megjithatë, në mënyrë të papritur, Shabani ndërhyri në listë përmes familjarëve të tij, të cilët ishin vendosur në një pozicion të sigurt për të tërhequr firmat e PD-së, duke prishur rregullimin e mëparshëm.
Ka indicie se Rama kishte interes që Lapaj të mos ishte në Parlament. Nuk ka fakte të qarta, por kjo ndryshonte të gjithë marrëveshjen.
Që nga ajo ditë, kushdo që ndjek politikën e dinte se Shabani do të shpërblehej për këtë veprim. Momenti erdhi kur ai mori postin e Avokatit të Popullit.
Edhe ish-kryeministri Berisha ka pohuar në dy dalje publike se Shabani mori 35 firmat e PD-së në këmbim të mbështetjes për Florian Binajn, për të siguruar përfshirjen e tij në garë.



