Një polic është vrarë dhe një tjetër është plagosur rreth orës 00:55 të enjten në Loznicë të Serbisë. Ministri i Brendshëm Ivica Daçiç tha se i dyshuari kryesor është një shtetas nga Kosova.

Ai pretendon se në vendngjarje është gjetura pasaporta e kosovarit dhe një dokument gjerman i identifikimit.
I dyshuari është me inicialet A.H., viti i lindjes 1991. Personi tjetër, siç raporton "N1", është arrestuar megjithëse nuk i dihet identiteti. Sipas ministrit ngjarja ka ndodhur teksa zyrtarët policor po kontrollonin automjetet në një pikë kontrolli në Lipniçki Shor. Ata kishin ndaluar një makinë tip “Mercedes” me targa të Tutinit të Serbisë, në të cilën kanë qenë dy persona.
Sipas ministrisë njëri prej tyre ka qëlluar me armë zyrtarin policor Nikolla Kërsmanoviç në gjoks, dhe zyrtarin policor Iliq Vjekosllav në shpatull, dhe më pas ka ikur. Të dy zyrtarët policorë janë transportuar në Spitalin e Lozninës, dhe Kërsmanoviç ka ndërruar jetë.



