
Kandidatët e Listës Serbe kanë fituar garën për kryetar në katër komunat e veriut të Kosovës. Bazuar në rezultatet paraprake të Komisionit Qendror i Zgjedhjeve.
Zgjedhjet në Leposaviq, Zobin-Potok, Zveçan dhe Mitrovicën e Veriut u zhvilluan dje, me një pjesëmarrje votuesish në masën 42%.
Në Leposaviq, në bazë të rezultatit preliminar ka fituar Zoran Todiç nga Lista Serbe me 96.6 % të votave. Ai garonte përballë Shaqir Hetemit nga Partia Demokratike e Kosovës, i cili mori 2.0 % dhe Fisnik Veselit nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili mori 1.4 % të votave.
Në Zubin-Potok, Sërxhan Vulloviç nga Lista Serbe ka fituar 94.5 %, kurse Hysen Mehmeti nga Partia Demokratike e Kosovës 2.9 % dhe Liridona Kahrimani nga Lëvizja Vetëvendosje 2.6 % të votave.
Edhe në Zveçan, kandidati i Listës Serbe, Vuçina Jankoviç, ka fituar me 94.7 %, në garë me Ilir Pecin nga Partia Demokratike e Kosovës, që ka siguruar 3.3 % dhe Avdi Pecin nga Lëvizja Vetëvendosje me 2 % të votave.
Në komunën Mitrovica e Veriut, kandidati i Listës Serbe, Goran Rakiç ka siguruar 86.2 %, kurse kandidatja e Partisë Demokratike të Kosovës, Gonxhe Çaushi, 8.7 % dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Erden Atiç, 5 % të votave.



