
Kosova mban sot zgjedhjet lokale, në të cilën kanë të drejtë vote 1 milion e 885 mijë e 448 persona, ndërsa për herë të parë në këto zgjedhje do të votojnë 41 mijë persona.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur sot se të gjitha qendrat e votimit sot janë hapur me kohë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se numri i qendrave të votimit ku ka filluar procesi i votimit është 883 me gjithsej 2,477 vendvotime.
“Sot në Republikën e Kosovës mbahen Zgjedhjet Lokale të shtatat me radhë për Kuvende Komunale dhe të pestat për Kryetarë të Komunave. Zgjedhjet mbahen për të zgjedhur 38 Kryetarët e Komunave dhe 1,002 anëtarët e 38 Kuvendeve Komunale. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje është: 5 mijë e 364 kandidatë, prej të cilëve 166 kandidatë për Kryetar Komune dhe 5 mijë e 198 kandidatë për Kuvende Komunale.
Sipas listës përfundimtare të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote është: 1 milion e 885 mijë e 448. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, fton të gjithë qytetarët me të drejtë vote, që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese, të drejtën e votës, dhe të dalin për të votuar. Gjithashtu, në këtë orë të parë të fillimit të procesit të votimit, njoftojmë të gjithë votuesit se në ueb faqen e KQZ-së, kqz-ks.org, është duke vazhduar të funksionojë aplikacioni përmes së cilit çdo qytetar mund ta mësojë vendvotimin e tij të saktë”, ka thënë tutje ai.
Tutje, Elezi ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme, me qëllim të informimit të rregullt për pjesëmarrjen në votime dhe ecurinë e procesit zgjedhor, KQZ-ja do të mbajë konferenca në orën 11:30; 15:30 dhe 19:30, ndërsa për konferencën e pestë, lidhur me publikimin e rezultateve prelimanare, do t’iu njoftojmë me kohë.
Në zgjedhjet e sotme, të drejtën e votës e kanë 90 mijë e 586 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit të po këtij viti.
KQZ mori vendime të veçanta për certifikimin e 89 subjekteve politike (32 parti politike; 1 koalicion; 33 iniciativa qytetare; 23 kandidatë të pavarur) dhe 552 kandidatëve të tyre.
Mirëpo, numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale të 17 tetorit është 5 mijë e 364 kandidatë, ku nga të cilët 166 kandidatë për kryetar të komunave dhe 5 mijë e 198 kandidatë për Kuvende Komunale.



