Politika nuk mban premtimin për amnisti ndaj të burgosurve të cilët këto festa do ti kalojnë larg familjes dhe pa dhuratën e shumë pritur të lirimit para kohe.
Amnistia e shumëpritur nga të dënuarit e cila do të shfrynte dhe mbipopullimin në burgje shtyhet për vitin 2024.
Emisioni FactCheck është interesuar pranë ministrisë së Drejtësisë dhe parlamenti nga ku rezulton se edhe me ndryshimet e bëra nga drafti i parë, këtë vit është e pamundur të realizohet.
Shkak është bërë situata e tensionuar politike dhe punimet e cunguara të parlamentit i cili vitin 2023 rezulton se do ta mbyll me votimin për autorizimin e arrestimit të deputetit Sali Berisha.
Më datë 6 dhjetor 2023 pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, ministri i Drejtësisë z.Ulsi Manja bëri publike se rreth 600 të dënuar do të mund të festonin vitin e ri pranë shtëpive e familjarëve të tyre.
Për të arritur në këtë projektligj për të dhënë amnisti, qeverisë “Rama” iu deshën tre vite. Emisioni FactCheck sjell një lexim të amnistisë se si ajo do të aplikohej në rast se do të merrte pëlqimin e parlamentit.
Sa do të jetë numri i atyre që fitojnë lirinë me këtë amnisti?
FactCheck mëson se janë 570 persona që do të lënë qelitë e burgjeve përfshi burra e gra, ndërsa përfitues të amnistisë me ulje dënimi nga 1 vite deri në 1.5 vite dhe pushim të procedimeve penale numri arrijnë në afro 3000 persona duke e bërë amnistinë më të madhe në pesë vitet e fundit.
Por cila ishte arsyeja e kësaj amnistie?
Në projektligjin e depozituar tashmë në parlament qeveria ka renditur disa arsye si:
parimi i humanizmit; arritja e qëllimit të dënimit; rrezikshmëria e ulët e personave që amnistohen; edukimi dhe rehabilitimi; mbrojtja e interesit publik; dhënia e mundësisë së integrimit më të lehtë dhe më të shpejtë të të dënuarve të mitur dhe femra; rritja e efiçencës në sistemin e drejtësisë; mbrojtja e interesit më të lartë të fëmijës.
Referuar statistikave zyrtare deri në muajin nëntor 2023 në burgjet e vëndit janë 2128 persona të dënuar mes tyre 32 gra, 187 persona me burgim të përjetshëm.
Burgu me numrin më të madh të të dënuarve rezulton IEVP Fier me 463 të dënuar, ndjekur nga IEVP Shkodër me 374 të dënuar e më pas IEVP Peqin me 333 të dënuar.
Burgu 313, apo njohur si IEVP Jordan Misja ka numrin prej 12 të dënuarish dhe burgu me numrin më të vogël është ai i Lezhës me vetëm 4 të dënuar.
Shifrës prej 2128 të dënuar të cilët do të preken nga amnistia i shtohet edhe ajo e të paraburgosurve prej 3107 personave të cilët ndodhen në qeli dhe ende pa dënim final.
IVEP Jordan Misja ka numrin më të lartë të të paraburgosurve me një total prej 451 persona, ndjekur nga IEVP Fsuhë Krujë me 348 shtetas dhe IEVP Fier prej 368 të arrestuar.
Numrin më të ulët të personave në pritje të vendimit të gjykatës për dënim apo pafajsi e ka IEVP Kavajë njohur si burgu i të miturve prej 26 shtetas, ndjekur nga IEVP Kukës prej 38 shtetas dhe IEVP Ali Demi apo burgu i grave prej 50 persona.
Në total të dënuar e paraburgosur janë aktualisht në qeli 5247 shtetas mes tyre burra e gra, ku me amnistinë në rast të miratimit numri do të ulet ndjeshëm.
Nga 2128 të dënuar pritet të liroheshin 570 prej tyre duke lënë në qeli vetëm 1558 të dënuar. Ndërsa të paraburgosurit që do të fitojnë lirinë pritet të jenë më shumë kjo për shkak edhe të pushimit të procedimeve penale që kanë një marzh dënimi deri në dy vite.



