Operatori turistik Aneo Hila, në një intervistë për MCN, thekson se tensionet ndërkombëtare dhe pasiguritë globale po ndikojnë pozitivisht në turizmin shqiptar, duke e kthyer vendin në një alternativë më të sigurt për turistët europianë.
Sipas tij, paralajmërimet ndërkombëtare nuk kanë ndikuar realisht në fluksin e udhëtimeve. Megjithatë, sfidë mbetet mungesa e stafit të kualifikuar në sektor.
Hila shton se Shqipëria po synon të ofrojë eksperienca autentike, ndërsa dominon turizmi ekonomik me një profil turistësh të mesëm.
Intervista e plotë:
-Z Hila, jemi në nisje të sezonit turistik në një klimë jo të qetë ndërkombëtare, për shkak të konfliktit me Iranin, dhe një krize ekonomike që po shkakton ajo. Sa po ndikon kjo situatë në ecurinë e rezervimeve për Shqipërinë?
Kjo ndikon pozitivisht për Shqipërinë pasi jemi një destinacion i sigurt. Ka një kthesë ndërkombëtare dhe tregu europian po kthehet drejt vendeve që konsiderohen të sigurta.
-Paralajmërimet e Ambasadës Amerikane a mendoni se po i frikësojnë turistët e huaj të zgjedhin Shqipërinë?
Kjo paralajmërime të Ambasadës Amerikanë janë standarde. Këto paralajmërime janë edhe para ndonjë proteste. Në media ka një panik të madh, realiteti është që në Turqi janë 4 ture çdo javë dhe njerëzit vazhdojnë të shkojnë. Perceptimi për ndonjë prell që mund të lëshojë Irani drejt Turqisë, janë biseda të tjera. Realiteti është që asgjë nuk ka ndaluar.
-Një nga shqetësimet e përvitshme mbetet stafi. A ka këtë vit mjaftueshëm punonjës dhe mbi të gjitha sa të trajnuar janë ata për të përballuar fluksin?
Stafi vazhdon të ngelet një problem i vazhdueshëm. Kemi mungesë njerëzish për të bërë shërbime specifike.
-Nga ana tjetër si po përgatiten strukturat akomoduese dhe bizneset turistike për të rritur cilësinë e shërbimit?
Po mundohemi shumë të punojmë me ndërtimin e eksperiencës në destiancion. Njerëzit që vijnë në Shqipëri, duan të marrin eksperiencën autentike. Duan të evitojnë grupet masive. Mund të them që është punë në progres.
-Në bazë të rezervimeve dhe interesit kusht destinacione pritet të jenë më të kërkuarat këtë sezon?
Varet nga origjina e turistëve, derisa nuk ishin ndaluar fluturimet e Lindjes së Mesme, arabët duan të shikojnë veriun e vendit. Ndërsa europianët duan të shikojnë kulturën. Europa qendrore do të shohë detin.
-Dhe në fund a po ndryshon profil i turistëve që zgjedhin Shqipërinë? Çfarë lloj turizmi po dominon sot?
Përparësisht është turizmi ekonomik dhe kjo shihet duke i hedhur një sy çmimeve të Airbnb dhe hoteleve. Jemi aty ku duhet të jemi sepse tregu i përgjigjet gjithmonë cilësisë. Në tërësi jemi te turisti i mesëm.



