
Të hënën, komisioneri për Zgjerimin në BE, Johanes Hahn, do të vizitojë Prishtinën, ku do të takojë krerët më të lartë të shtetit të Kosovës.
Siç raporton Gazeta Express, e cila u referohet burimeve brenda qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, taksa ndaj produkteve të Serbisë dhe atyre të Bosnjës e Hercegovinës, e vendosur disa ditë më parë, mund të hiqet në këmbim të futjes së Kosovës në axhendë për liberalizimin e vizave.
“Taksa hiqet në rast se Kosova futet në axhendën e liberalizimit të vizave. Johanes Hahn nesër do të ushtrojë presion të madh në takimet që do t’i zhvillojë me përfaqësuesit e shtetit”, thonë burimet.
Një ditë më parë, ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha, tha se në axhendën e publikuar për mbledhjen e Këshillit të Ministrave të BE-së për datën 6 dhjetor, Kosova nuk figuron në rend dite për çështjen e liberalizimit të vizave.
Pak ditë më parë, qeveria e Kosovës vendosi një taksë 100% për produktet e Serbisë dhe atyre të Bosnjes. BE e kundërshtoi këtë vendim, ndërsa katër kryetarë të komunave me shumicë serbe dhanë dorëheqjen.



