Prej disa ditësh Greqia është përfshirë nga moti i keq, i cili ka shkaktuar dhe disa viktima
Kledi Xhumri, një qytetare shqiptare me vendbanim në një ishull të Greqisë tha përmes një lidhje “Skype” me MCN Live se mes viktimave është dhe një shqiptar, mbi 70 vjeç, i cili ishte çoban.
Duke folur për situatën e vështirë që ka përfshirë vendin fqinj, Xhumri tha se qytetarët janë të tronditur dhe se reshjet kanë rënë gjatë orëve të natës duke i gjetur qytetarët të papërgatitur.
Megjithëse autoritetet greke kanë dërguar një masazh paralajmërues, Xhumri tha që këtë mesazh nuk e kanë marrë të gjithë.
Jemi zgjuar me frikë, sepse dy netët e fundit jemi pa gjumë. Jam në ishull, jo në qendër.
Jemi shumë të tronditur, kam 25 vjet dhe kurrë më parë nuk ka ndodhur një përmbytje e tillë, gjatë dimrit rëniet e shiut kanë qenë të shumta, por në këtë sasi asnjëherë.
Duke qenë se ishulli është i vogël, ne kemi kontakte me njeri-tjetrin, kemi dhe grupe në rrjete sociale që flasim me njëri tjetrin.
Komunikim kemi edhe me Qendrën Shëndetësore në ishull, njoftohemi nëse ka viktima apo të plagosur. Rëniet e shiut kanë qenë gjatë natës, na gjetën të papërgatitur. Zjarrfikësit janë në shërbim, Komuna po bën të pamundurën që të kujdeset për sigurinë e banorëve të ishullit dhe vizitorëve.
Pothuajse gjysma e ishullit janë shqiptarë. Sot mora vesh që mes atyre që kanë humbur jetën në Greqi ka qenë dhe një shqiptar. Ishte mbi moshën 70-vjeç dhe ka humbur jetën në zonën Agjia Katerinë, zotëria merrej me bagëtitë. Si pasojë e përmbytjeve ngordhën kafshët.
Media ka hulumtuar dhe ka qenë pranë në çdo shtëpi, sidomos në zonat e prekura. Njerëzit janë të dëshpëruar dhe shumica e tyre nuk ka pasur njoftim. E pritnin që do kishte shi, por jo në këtë nivel. Shteti ka pritur që zonat më të goditura do ishin ato të goditura nga zjarret. Por nuk ndodhet ashtu. Volosi, Pilio janë përmbytur. Nuk dimë kujt t’ia vëmë fajin. Një mesazh alert është shpërndarë dhe neve na ka ardhur na kanë thanë mos rrini në qendra shkoni në lartësi. Si duket mesazhi nuk ka shkuar tek të gjithë dhe jo tek të gjitha zonat. Njerëzit janë zgjuar dhe kanë zbuluar që shiu kishte arritur në nivel të lartë. Policia mund të jetë e pranishme, por nuk i shpëtojnë dot në këto momente.
Me dritat kemi pasur probleme dhe me valët e celularit. Komunat na kanë furnizuar me ujë. Dëmi është i madh.
Sa i përket ishullit, njerëzit kanë mbetur këtu, janë mundësuar vetëm 2 orare tragetesh. Nuk ishte e mundur që njerëzit të iknin, kanë ndenjur edhe një natë në ishull, disa kanë humbur fluturimet. Jemi munduar t’i sistemojmë dhe t’i gjejmë një vend. Menaxhimi i situatës ka qenë i vështirë kemi pasur nevojë për ndihmë dhe nga jashtë. Ka pasur përmbytje dhe në dhomat e pushuesve. Dhe ata kanë humbur dhe sende me vlerë.



