Kancelari gjerman Olaf Scholz u takua me presidentin kinez Xi Jinping, duke u bërë lideri i parë i G7 që viziton Pekinin që nga fillimi i pandemisë Covid-19 në 2020.
Gjermania dhe Kina janë kundër përdorimit të çdo arme bërthamore në luftën në Ukrainë. Deklarata u bë nga kancelari gjerman Olaf Scholz nga Pekin pas takimeve me Presidentin Xi Jinping dhe Kryeministrin Li Keqiang.
"Këtu në Kinë të gjithë e dinë se një përshkallëzim i luftës në Ukrainë do të kishte pasoja për të gjithë ne," tha Scholz. "Kjo është arsyeja pse është shumë e rëndësishme për mua të theksoj se të gjithë po thonë qartë, se një përshkallëzim përmes përdorimit të një armë bërthamore është një taktikë e përjashtuar”, shtoi ai.
Scholz i kërkoi Xi-t të përdorte "influencën e tij mbi Rusinë" për t'i dhënë fund "luftës së agresionit" kundër Ukrainës.
"Kjo ka të bëjë me nevojën për të respektuar parimet e Kartës së OKB-së që ne të gjithë kemi nënshkruar. Këto janë parime të tilla si ai i sovranitetit dhe integritetit territorial, të cilat janë gjithashtu të rëndësishme për Kinën", shtoi ai.



