Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca së bashku me ambasadoren franceze Christina Vasak dhe atë gjerman Peter Zingraf ngritën sot nga Elbasani shqetësimin e shit-blerjes së votës.
Ata takuan disa prej drejtuesve politikë të partive për këtë qark, ndërkohë që lidhur me këtë takim foli deputetja Rudina Hajdari.
Deputetja tha se ambasadorët kanë folur në mënyrë të detajuar për problematikën e krimit të organizuar që e ka kthyer Elbasanin në pikë të nxehtë. Siç u shpreh Hajdari ambasadorët kanë garantuar monitorimin e procesit zgjedhor, për realizimin e zgjedhjeve të qeta.
“Ne sot pritëm 3 ambasadorë, atë gjerman, të Francës dhe ambasadorin e BE. Ambasadorët u prezantuan me kandidatët të cilët ndanë shqetësimet e tyre. Ata me shumë kureshtje dëgjuan shqetësimet e tyre. Ne kemi pasur në zyrat tona edhe amabasadoren Juri Kim. Ata kanë folur në mënyrë të detajuar për problematikën e krimit të organizuar që e ka kthyer Elbasanin në pikë të nxehtë. Tjetër tematikë kanë qenë për mungesën e ujit, infrastrukturës apo energjisë. Shteti nuk ka menaxhuar taksat për t’i kthyer në shërbime publike dhe ne jemi përpjekur për t’i dhënë një perispektivë të re dhe ata ishin shumë të lumtur. Ata më garantuan si BE apo ambasadat e tjera do të monitorojnë zgjedhjet dhe kjo jep një garanci edhe për zgjedhje të qeta”, tha Hajdari.



