
Në një video nëntë minutëshe të postuar në Twitter, Arnold Schwarzenegger u është drejtuar fansave të tij dhe ushtarëve rusë për t'u "treguar atyre atë që ata nuk dinë".
Ndërsa duke iu drejtuar presidentit rus, ai thotë: “Ti e nise këtë luftë, ti po bën këtë luftë, ti mund ta ndalosh këtë luftë”.
Aktori dhe ish-guvernatori i Kalifornisë, në videon e regjistruar në anglisht dhe me titra në rusisht tregon përvojën e tij personale, duke shprehur admirimin për ata që protestojnë kundër luftës në Rusi si "heronjtë e rinj".
Dhe ai shpjegoi atë që nuk zbulohet nga qeveria e Moskës.
"Qeveria ju ka thënë se është një luftë për të denazifikuar Ukrainën, nuk është e vërtetë. Ukraina është një vend me një president hebre", tha ai, duke vënë në dukje se duke parë imazhet e këtij konflikti i kujton mizoritë e Luftës së Dytë Botërore.



