Amnistia e fundvitit nuk do të kalonte dje në Parlament nëse në minutat e fundit në sallë nuk do të mbërrinin me urgjencë deputetët Armando Prenga, Tom Doshi, Eduard Ndocaj dhe Mirela Ferracaku.
Votës së deputetëve të përjashtuar nga PS-ja iu bashkua edhe ish-demokrati Mhill Fufi, i cili edhe në seancën e djeshme ishte konstant kur mbështeti vendimet e qeverisë me votë, raporton “Panorama”.
Por votimi i amnistisë dhe Kodit Hekurudhor që kërkonin 84 vota nuk u arrit me lehtësi, pasi për plotësimin e numrave u deshën shumë telefonata dhe negociata të kreut të Grupit të PS-së, Gramoz Ruçi dhe nënkryetarit Taulant Balla. Kryetari i Parlamentit, Ilir Meta, pasi konstatoi se për të gjitha ligjet qeveria mundi të grumbullonte vetëm 79 vota, zgjodhi që të mos fuste për votim amnistinë dhe Kodin Hekurudhor, duke e shtyrë aktin për vitin e ardhshëm.
Teksa ishte duke artikuluar përshëndetjet e fundit për përfaqësuesit e maxhorancës në sallë, duke e konsideruar një akt të dështuar për shkak të votave “amnistinë” e fundvitit nga qeveria, Meta u përball me kërkesën e kreut të Grupit të PS-së, Ruçi për një verifikim të prezencës së deputetëve. Ardhja me urgjencë e deputetëve Prenga, Doshi, Ndocaj, Ferracaku, por edhe i Mesila Dodës së PDIU-së, plotësuan numrin 84 të votave të mjaftueshme për kalimin e amnistisë nga maxhoranca. Batutat e kryeparlamentarit Meta “edhe një, edhe një”, realizuan kalimin me 84 vota pro të amnistisë, duke u dhënë mundësinë rreth 670 të burgosurve të lirohen përpara Vitit të Ri. / Panorama /



