Që nga koha kur humanisti dhe historiani i mesjetës Marin Barleti ka shkruar se në Durrës “ndodhet një arenë ose amfiteatër, i ndërtuar me zgjuarsi dhe mjeshtëri të admirueshme…” kaluan disa shekuj, derisa këtë fakt të madh arkeologjik e zbuloi në vitin 1966 arkeologu Vangjel Toçi, emrin e të cilit mban edhe kjo rrugë.
MCN ka ardhur në Durrës për të kuptuar se si bashkëjeton kjo vlerë historike me qytetin e sotëm? Sa turistë e kanë vizituar amfiteatrin vitin që lamë pas, si ka nisur ky vit? Sa janë çmimet e biletave dhe kush i shoqëron vizitorët në një tur brenda amfiteatrit?
Ndodhemi në galerinë veriore të Amfiteatrit të Durrësit, ndërtuar në shekullin e II të erës tonë, me përmasa të krahasueshme me amfiteatrot e mëdhenj të asaj kohe. Eklipsi i zbulua është 120 m, ndërsa kapaciteti është 15 000 deri në 18 000 spektatorë.
Këtu zhvilloheshin ndeshje midis gladiatorëve, skllevërve, kafshëve dhe zhvilloheshin aktivitet të ndryshme sportive dhe artistike.
Me arkitekturë romake ai gjendet në qendër të qytetit, 350 m larg detit. Forma i ngjan një elipsi, me një lartësi 20 m. Fillon në rrafshin e arenës 5.5 m mbi nivelin e detit, ndërsa 2/3 mbështetet në kodër.
Alban Ramohitaj, Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Durrës, institucion në varësi të vet Ministrisë së Kulturës, tregon për MCN se ç’domethënie ka kjo pjesë historike e qytetit për pjesën tjetër të saj.
Ndërkaq, zbulimet në amfiteatër nuk do të mbyllen këtu. Një projekt zgjerimi është në plan.
Eda Çekrezi, Shefe e Sektorit Arkeologjik, me profesion arkeologe, zbulon shifrën e viztorëve në këtë sit arkeologjik për vitin që lamë pas, duke kuptuar edhe një projeksion për këtë vit.
Për të gjithë të interesuarit, biletat kanë çmime të ndryshme në varësi të kategorive, ndërsa shërbimi i ciceronit momentalisht mbulohet nga biletashitësja.
Amfiteatri i Durrësit qëndron mes 30 amfiteatrove të zbuluar të botës antike nga Roma deri në Budapest dhe Lion.
…
Por a është e njëjta situatë edhe në site të tjera arkeologjike në vendin tonë? Shkojmë dhe hedhim një sy…
Apolonia, qyteti i diellit, shkëlqen edhe në ditët e ftohta të janarit.
Vizitorët janë rralluar, por punonjësit e përhershëm të saj, janë aty.
Kushtet atmosferike për fat të mirë këtë vit nuk kanë shkaktuar asnjë dëmtim në kolonat e Apolonisë apo në monumentet e tjera të saj.
Modernizimi i kohës dhe futja e teknologjisë kanë eleminuar ciceronin, personin i cili priste dikur grupet turistike.
Megjithëse periudhë pandemie, viti 2021 është mbyllur me 30 600 vizitorë në parkun arkeologjik të Apolonisë. Ndërsa gjatë fund vitit 2020 me fondet e BE u krye restaurimi i Nimfeut dhe ngritja e kolonave mbajtese.
Vetem 10 perqind e territorit te qytetit është zbuluar deri më sot nga arkeologët dhe momentalisht nuk po kryhen zbulime të reja.
Rreth 35 km larg nga tempulli i Apolonisë, mund të vizitosh një tjetër bukuri të qyteterimit të lashtë, Bylisin.
Brenda këtij territori historik ka shumë monumente, ndaj edhe këtu puna kryesore mbetet mirëmbajta e tyre dhe planet për sezonin veror.
Lajmi më i rëndësishëm për Bylisin për vitin 2022, është nisja e punimeve për ndërtimin e rrugës së re që do të lidhë parkun me autostradën nëpërmjet fshatit Hekal. Ashtu si në Apoloni, edhe në parkun e Bylisit mungon ciceroni.
Pastrimi i territorit në Bylis dhe kryesisht sistemimet i blloqeve të gurta të mureve rrethues të nxjerra pas çdo zbulimi, janë puna që po kryhet aktualisht në parkun arkeologjik. Nexhmi Sulaj, përgjegjës i sektorit të Bylisit na tregon më shumë rreth punës.
5 mijë ishte numri i turistëve për 2021-shin në këtë park arkeologjik, më i vogël se ai i Apolonisë për shkak edhe të mungesës së rrugëve. Por nga bukuria dhe numri i monumenteve të zbuluara, Bylisi mban vendin e parë në Shqipëri duke ia kaluar edhe Butrintit, Amfiteatrit të Durrësit dhe Apolonisë.
I ndërtuar në një sipërfaqje prej 30 hektartësh, Bylis ka pese bazilika paleokristiane, dy mure rrethues, një të shekullit të trete para krishtit dhe një të shekullit të pestë pas krishtit. Ka të zbuluara, një teatër me 7500 vende në zonën publike, cisternën e ujit, termat publike, pesë banesa dhe dy shëtitore.
Në fund, pyetja është: Ku janë ciceronët dhe cili është kuptimi i këtyre siteve arkeologjike pa ta, si për vizitorët vendas ashtu edhe të huaj?



