Policia italiane dhe ajo shqiptare operacion kundër tregtimit të rremë online, ekzekutohen 14 urdhra arresti

Policia italiane dhe ajo shqiptare operacion kundër tregtimit të rremë online, ekzekutohen 14 urdhra arresti

Prokuroria e Pordenones lëshoi 14 urdhra arresti, denoncoi 61 persona dhe urdhëroi 14 kontrolle në Shqipëri në kuadër të një operacioni të policisë italiane dhe asaj shqiptare, duke zbërthyer një bandë shtetasish shqiptarë të cilët merreshin me tregti të rreme online. Organizata, e cila përdorte teknika të sofistikuara bindjeje, dyshohet se ka mashtruar duke shkaktuar rreth 5 milionë euro dëm ndaj qindra qytetarëve italianë. Gjatë 42.000 përgjimeve të kryera nga hetuesit italianë, rezultoi se paratë ishin pastruar në vendet e Bashkimit Europian, përfshirë Qipron, Lituaninë, Estoninë, Holandën, Gjermaninë dhe ishin konvertuar në kriptovaluta. Në një komunikim për mediat nga SPAK, prokurori Ened Nakuçi deklaroi se janë rreth 140 denoncime nga personat e dëmtuar në Itali, ku shuma e dëmit shkon 4.7 milionë euro. Në konferencë merrte pjesë edhe prokurorja italiane e Pordenones, e cila është marrë me çështjen, duke thënë se hetimet janë shtrirë në dy vite. Drejtori i policisë Tiranë, Tonin Vocaj deklaroi se më 25 tetor është bërë identifikimi i personave të dyshuar. “Janë ekzekutuar 9 masa sigurie, 5 në burg, 4 në arrest shtëpie dhe janë në kërkim edhe 5 të tjerë.” Njoftimi i policisë Ekzekutohen 14 masa sigurie për shtetas të implikuar në veprimtarinë kriminale në fushën e mashtrimeve kompjuterike. Sekuestrohen pajisje të ndryshme kompjuterike, aparate celulare, USB dhe pajisje të tjera për prodhimin e bitcoin, të gjetura gjatë kontrolleve të ushtruara në disa banesa. Gjatë operacionit u angazhuan 60 forca Policore të DVP Tiranë, të komisariateve në varësi të saj dhe të DVP Fier. Në kuadër të procedimit penal nr.121/2021 të Prokurorisë Kundër Korupsionit dhe Krimit të Organizuar, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë është përfshirë në hetime në bazë të autorizimeve të Prokurorisë, ku gjatë këtyre hetimeve janë aplikuar metoda speciale të hetimit. Nga veprimet hetimore të kryera është bërë i mundur identifikimi i plotë i të gjitha subjekteve të hetimit. Më konkretisht, më datë 25 tetor 2022, është bërë identifikimi i subjektit dhe pas autorizimit të marrë për lejimin e ushtrimit të kontrolleve të vendit, së bashku me Njësinë “C” të Krimit Kibernetik të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, dhe partnerët e Policisë italiane, është ndërhyrë në subjektin call center, në rrugën “Dritan Hoxha”, ku janë kryer të gjitha veprimet hetimore procedurale. Në vijimësi të këtij procedimi, pas ekspertimit të pajisjeve elektronike të sekuestruara, ka rezultuar se në këtë veprimtari kriminale janë të implikuar disa shtetas. Më datë 26.07.2023, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Fiananciare, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në funksion të vendimit nr. 92 të datës 21.07.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, janë ekzekutuar 9 masa sigurie, nga të cilat 5 “Arrest në burg”, dhe 4 “Arrest në shtëpi”. Janë ekzekutuar masat e sigurimit personal “Arrest në burg”, për shtetasit Hamit Dobi, Erion Kastrati, Aldo Pasku, Gjin Shelnishta, dhe Mojsi Zuna. Janë ekzekutuar masat e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, për shtetasit Greta Gjoci, Olta Toci, Rezarta Ibrahimi dhe Silvana Veliu. Gjithashtu janë shpallur në kërkim shtetasit B. Ç., O. C., B. GJ., A. M., dhe F. B. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi B. Ç., ka dalë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë më datë 23.07.2023 nga Pika e Kalimit Kufitar Kakavijë, ndërsa shtetasja A. M., më datë 27.10.2022, nga Pika e Kalimit Kufitar Rinas. Në kuadër të këtij procedimi janë kontrolluar 12 banesa dhe janë sekuestruar pajisje të ndryshme kompjuterike (telefona, laptopë, USB dhe pajisje për prodhimin e Bitcoin), të cilat kanë kaluar për ekspertim kompjuterik në laboratorin pranë Sektorit të Ekzaminimeve Kompjuterike në Prokurorinë e Posaçme. Njoftimi i SPAK Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokuroria e Republikës Italiane në Pordenone, në vazhdim të operacionit “Dream Earnings”, të datës 25 Tetor 2022, në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, kemi bërë të mundur nxjerrjen e katërmbëdhjetë masave të tjera te sigurisë “arrest në burg” dhe “arrest në shtëpi”, të shtetasve shqiptarë, të cilët janë anëtarë me role dhe detyra të veçanta, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me mashtrimin financiar të shitjeve online. Masat e sigurisë të ekzekutuara ditën e djeshme nga Drejtoria e Vendore të Policisë së Tiranë, Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit në prezencë dhe të Hetuesve te Skuadrës Levizese, Pordenone dhe të Qendrës Operacionale për Sigurinë Kibernetike – Policia Postare dhe e Komunikacionit në Friuli Venezia Giulia në bashkëpunim me Shërbimin për Bashkëpunimin Ndërkombëtar dhe Policor – Zyra e Ekspertit për Sigurinë në Shqipëri, (UCI), janë rezultat i veprimeve hetimore të zhvilluara pas kontrolleve dhe sekuestrimeve të pajisjeve elektronike të kryera në 25 tetor të vitit të kaluar pranë Call center-it me vendndodhje ne Tiranë ne Rrugën “Dritan Hoxha” – Kompleksi “Karavan U2” – kati nr. 2, të kryera në bashkëpunim me Njësinë C te Krimit Kibernetik të Drejtorisë së Përgjthshme të Policisë Shqiptare. Gjatë hetimeve janë administruar nga Prokuroria e Posaçme në total 140 kallzime të kryera nga palët e dëmtuara ne Itali, të cilët janë mashtruar nga grupi kriminal për një shumë totale prej afërsisht 4.700.000 euro. Hetimet kanë nisur si pasojë e një denoncimi të kryer në Policinë Postare në Pordenone. Verifikimet e mëtejshme kanë nxjerrë në dritë një skemë mashtrimi mjaft komplekse, sipas së cilës viktimat, kontaktoheshin nëpërmjet telefonit dhe bindeshin nga mashtruesit për të investuar fillimisht shifra shumë të vogla të cilat në dukje çonin në fitime stratosferike. Disa viktima në fakt, shihnin se si trefishohej investimi i tyre në pak ditë, duke i parë fitimet nëpërmjet platformave të fallsifikuara dhe të konfiguruara enkas për to nga organizata kriminale me qëllimin për ta bërë sa më të besueshëm fitimin. Gjatë kryerjes së më shumë se një numri mjaft të madhe përgjimesh në Itali dhe Shqipëri, ka rezultuar se mashtruesit ishin mjaft të aftë në përdorimin e teknikave reale bindëse aq sa kishin arritur të bindnin qytetarët e pafajshëm të investonin gjatë kësaj kohe qindra mijëra euro në llogari rrjedhëse jashtë shtetit. Në çdo transferim në hyrje rezultonte dhënia e një sasie BitCoin në favor të një Portofoli të panjohur duke humbur në këtë mënyrë gjurmët e parave. Grupi i strukturuar kishte ngritur një call center të vërtetë, me role të ndryshme në brendësinë të tij: në fakt, kishte operatorë, të cilët merreshin me kontaktet e para me klientët duke verifikuar mundësinë e tyre për investim si dhe kishte “konsulentë” të vërtetë të cilët i ndiqnin hap pas hapi viktimat drejt investimeve me më shumë përfitim për ta. Masat e sigurimit të nxjerra si rezultat i analizës të të gjitha provave të marra nga përgjimet në Itali dhe Shqipëri, nga analiza e pajisjeve elektronike të sekuestruara, nga vëzhgimet dhe verifikimet e bëra para dhe pas goditjes të datës 25 tetor të vitit 2022, kanë të bëjnë me personat të cilët kanë rol deciziv në kuadër të mashtrimeve të kryera, pasi këta shtetas janë drejtues faktikë të call centerit, drejtues të grupeve të operatorëve, IT dhe konsulentë të shitjeve, (Retention). Hetimet vazhdojnë, për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të kundraligjshme. Analiza e llogarive rrjedhëse, e kryer nga hetuesit nëpërmjet verifikimeve që kanë perfshirë disa Shtete anëtare të Bashkimit Europian ndër to Qipro, Lituania, Estonia, Hollanda dhe Gjermania kanë nxjerrë në dritë faktin se paratë e viktimave, në pjesën më të madhe të rasteve, shndërrohej në kriptovalutë të lidhura me llogari të huaja të pagjurmueshme. Nga analiza e kryer rezulton se grupi funksiononte sipas skemave shumë të sakta: operatorët e ndryshëm të call center, të cilët merrnin një pagë mujore dhe merrnin bonus sa herë që përmbyllnin një investim, të ndarë sipas grupeve. Në krye të secilit grup ishte një drejtues i cili përveç se merrte një përqindje për investimet e realizuara, merrte edhe një bonus për mashtrimet e kryera nga operatorët e grupit të tij. Çdo drejtues nga ana tjetër i përgjigjej një administratori i quajtur supervizor, i cili përveç se merrte pagesën mujore më të lartë, merrte dhe përfitime të rëndësishme nga mashtrimet e realizuara nga të gjithë pjestarët e grupit kriminal. Përveç kësaj ishin parashikuar edhe sanksione dhe dënime për ata që nuk do të arrinin të përmbyllnin kontrata. Bëhet fjalë për një sistem që i bënte operatorët “të mos kishin besim” tek njëri-tjetri dhe të ishin në garë se kush ishte më i zoti për të përmbyllur kontrata dhe për të sjellë fitime; e gjitha kjo në dëm të qytetarëve të pafajshëm, viktima të kësaj gare absurde. Verifikimet hetimore kanë bere te mundur gjithashtu përcaktimin dhe identifikimin e teknikëve përgjegjës të grupit te strukturuar të cilët administronin jo vetëm të gjithë infrastrukturën informatike të call center-it të ngritur, por dhe kujdeseshin për të fshehur dhe penguar hetimet ndaj tyre dhe identifikimit të call center-it në fjalë. Është ushtruar kontroll në 12 banesa ku gjatë kontrollit janë sekuestruar pajisje të ndryshme kompjuterike (telefona, laptopë, USB dhe pajisje për prodhimin e Bitcoin) të cilat i kanë kaluar për ekspertim kompjuterik në laboratorin pranë Sektorit të Ekzaminimeve Kompjuterike në Prokurorinë e Posaçme. Një mesazh i rëndësishëm që duam të japim përmes këtij komunikimi me median është se fenomeni i mashtrimit on line nëpëmjet call centerave është një veprimtari që do vazhdojë të ndiqet me prioritet nga Prokuroria e Posaçme dhe Policia e Shtetit në bashkëpunim me partnerët ndërkombetarë, në mënyrë që autorët e kësaj veprimtarie të paligjshme të marrin përgjigjen e duhur. Por përveç goditjes së këtij fenomeni, është detyrë e shtetasve që punojnë në këto call centera që të ndërgjegjësohen dhe të mos bëhen pjesë e veprimtarive të paligjshme, por të punojnë ndërshmërisht në ato kompani të cilat nuk kanë aktivitet mashtrimin on line.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy