Qeveria gjermane i ka thënë “jo” kërkesës për një shtyrje të mëtejshme të mbylljes së tre termocentraleve të fundit bërthamorë ende aktivë në Gjermani. Pra, deri të shtunën më 15 prill, reaktorët do të mbyllen.
Shtyrjen e kishin kërkuar përfaqësues të opozitës, madje edhe të partisë së Lirë dhe Demokratëve, e cila është pjesë e koalicionit të drejtuar nga Olaf Scholz, me argumentin se fundi i energjisë bërthamore sjell rrezikun e përdorimit më të madh të termocentraleve me lëndë djegëse fosile të dëmshme për klimën.
"Heqja graduale e energjisë bërthamore deri më 15 prill, pra këtë të shtunë, është një marrëveshje e përfunduar" , tha shkurt zëdhënësja e Scholz, Christiane Hoffmann.
Uzinat bërthamore fillimisht ishin planifikuar të mbylleshin deri më 31 dhjetor 2022, por Scholz e kishte shtyrë për t'u marrë me krizën energjetike të shkaktuar nga lufta në Ukrainë.
Kritikët argumentojnë se mbyllja e termocentraleve bërthamore tani e privon Gjermaninë nga një burim energjie me emetim të ulët dhe kërkon që vendi të vazhdojë funksionimin e centraleve me lëndë djegëse fosile që kontribuojnë në ndryshimin e klimës.
Kështu përfundon epoka bërthamore në vend, e cila filloi gjashtëdhjetë vjet më parë me ndërtimin e centralit të parë të vogël Kahl.



