
Protesta e 12-të e opozitës dhe Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit para bashkisë së Tiranës, me anë të së cilës kërkohet largimi i kryebashkiakut Erjon Veliajt, i cili akuzohet për përfshirje në afera korruptive, është shoqëruar me tensione.
Protestuesit kanë hequr gardhin metalik të lidhur me blloqe betoni, kanë hedhur molotov drejt godinës së bashkisë dhe i kanë vënë zjarrin një grumbulli gomash. Mes fjalimeve dhe shtyrjeve me policinë, shoqëruar me tym dhe flakë, protesta zgjati për një orë e gjysmë për t'u shpërndarë më tej.
Gazetari Andon Kello raportoi për MCN Live, se e sotmja është protesta e dytë brenda javës dhe vjen pas marrjes së vulës nga Partisë Demokratike nga Rithemelimi i Sali Berishës.

Ka një entuziazëm për shkak të vendimit të Gjykatës së Apelit dhe jo më kot u njoftua protesta e ndërmjetme e së premtes, për të kërkuar menjëherë largimin dhe arrestimin e kryebashkiakut Veliaj, ndërsa protesta e radhës do të jetë ditën e mërkurë.
Ndërkohë nga ana e policisë është vendosur një kordon policor, helmeta dhe gardh metalik. Shumica e të pranishmëve kanë bluza me flamurin “Berisha i lirë” dhe flamuj të PD.
Protesta para bashkisë njoftohet se do të pasohet me një protestë kombëtare jo vetëm ndaj kryebashkiakut Erjon Veliaj por edhe ndaj kryeministrit Edi Rama.
Por për këtë do të ketë një organizim më të gjerë për të mobilizuar të gjitha strukturat.
Nga ana e grupit të Lulzim Bashës është njoftuar parti e re ose një koalicion i gjerë me parti të djathta që nuk i janë bashkuar Berishës.



