
Protestën që opozita e bashkuar shqiptare do të mbajë nesër, mesditën e 27 janarit, nuk do ta monitorojë vetëm policia e Shtetit.
Protestuesit e protestës së 27 janarit, do të jenë nën monitorimin e policisë dhe kjo e fundit do të jetë nën vëzhgimin e ekspertëve të huaj.
E bën të ditur ministria e Brendshme përmes një deklarate për shtyp.
"E gjithë veprimtaria e Policisë së Shtetit, ditën e nesërme do të asistohet dhe monitorohet, gjithashtu, nga ekspertë të huaj, të cilët janë atashuar pranë Ministrisë së Brendshme."
Policia e Shtetit ka të gjitha kapacitetet për të garantuar të drejtën e tubimit, thuhet në njoftimin e ministrisë ku ndër të tjera paralajmërohet se: do të veprojë sipas përcaktimeve ligjore ndaj kujtdo që cënon rendin dhe sigurinë dhe do t'i përballë ata me ndëshkimin e duhur ligjor.
Ministria e Brendshme i bën "thirrje qytetarëve dhe përfaqësuesve të subjekteve politike, të mbështesin Policinë e Shtetit në ushtrimin e detyrës së saj dhe të distancohen nga individët me mendësi e prirje të dhunshme."
Ndërsa Policia e Shtetit ka marrë masat për mbarëvajtjen e protestës që opozita e bashkuar mban të shtunën e 27 majit nga ora 12 deri në 4 të pasdites përballë kryeministrisë.
Në njoftimin e policisë thuhet se nga ora 10:00 deri në përfundim të protestës nuk do lejohet lëvizja e mjeteve në rrugët e mëposhtme:
- Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", nga kryqëzimi i rrugës “ Myslym Shyri” deri tek sheshi “Nënë Tereza”;
- Bulevardi "Bajram Curri", nga kryqëzimi i rrugës “Sami Frashëri” deri tek rruga e “Elbasanit”;
Për arsye sigurie blut e kryeqytetit nga ora 00:00 deri në përfundim të protestës brenda “Unazës së Madhe” nuk do lejohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë, të cilat do të devijohen në rrugë alternative.
Gjithashtu do të ketë devijim të trafikut në shumë akse rrugore. Kufizimet dhe devijimet do prekin edhe linjat e transportit urban qytetas ku autobusët e “Tiranës së Re” do kthehen tek sheshi “Willson”; linja e “Kamzës” do të kthehet tek ish-kafe “Flora”, ndërsa linjat e tjera në varësi të situatës.
Mjetet e transportit të ardhur nga rrethet nuk do lejohen në brendësi të qytetit.
Mjetet që vijnë nga perëndimi, do të lejohen deri tek Pallati i sportit "Asllan Rusi", Qyteti i Nxënësve, ndërsa ato nga lindja deri tek rrethrrotullimi pranë Fakultetit Ekonomik.
Këto mjete transporti publik, pasi të zbresin qytetarët do të kthehen dhe do të parkohen, në:
• Terminalin pranë "Qytetit Studenti"
• Sheshin "Shqiponja";
• Rrugën "Teodor Keko".
Gjithashtu do të ndalohet futja e mjeteve tek Ura e "Paskuqanit" dhe ura e "Babrroit".
Policia e Shtetit apelon qytetarët të largojnë mjetet e tyre në rrugët e sipërcituara duke ndihmuar dhe lehtësuar qarkullimin.
Në të kundërt makinat do të spostohen me mjete ngritëse.
Gjithashtu luten qytetarët të shmangin përdorimin e panevojshëm të automjetit ditën e shtunë në segmentet që lidhin qendrën e qytetit me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për shkak të devijimeve dhe kufizimeve që do fillojnë nga ora 08:00 e mëngjesit deri në përfundim të protestës.
Policia e Shtetit garanton të drejtën e tubimit dhe është plotësisht e aftë për të përmbushur detyrimin ligjor si garante e zbatimit të ligjit dhe e vendosur të ndëshkojë cilindo që cënon rendin dhe sigurinë publike.



