Sipas parashikimit të Institutit të Gjeoshkencave -IGJEUM, dita e sotme dhe ajo e nesërme do të karakterizohen nga reshje shiu në të gjithë vendin.
Meteorologia Anira Gjoni, në një komunikim për "MCN Live", bëri me dije se reshjet do të zgjasin deri në orët e pasdites të së shtunës.
Reshjet kanë nisur që në orët e para të mëngjesit dhe do të vijojnë gjatë gjithë ditës së premte dhe pjesërisht të shtunën.
Në jug të vendit, kryesisht në zonat e Vlorës dhe Gjirokastrës, reshjet do të jenë lokalisht intensive dhe të shoqëruara me stuhi.
Era do të jetë problematike, veçanërisht në zonat malore dhe përgjatë vijës bregdetare, ku pritet të fryjë me intensitet të lartë.
Ndërkohë, temperaturat për ditën e sotme dhe të nesërme do të shfaqin luhatje të vogla, por pa rritje të ndjeshme, në zonat bregdetare: minimumi 14°C, maksimumi 19°C, zonat e ulëta: minimumi 12°C, maksimumi 19°C dhe zonat malore: minimumi deri në 6°C, maksimumi deri në 13°C
Duke nisur nga mesdita e së shtunës, reshjet do të ndërpriten pothuajse në të gjithë territorin. E diela pritet të jetë pa reshje dhe me mot më të qëndrueshëm.
Të dielën do të kemi një rënie të lehtë të temperaturave minimale, ku mëngjeset do të ndihen më të freskëta me rreth 2 gradë më pak. Dita e hënë do të nisë me temperatura të ulëta në mëngjes, ndërsa ato të mesditës do të qëndrojnë në 18-19°C.



