Një operacion i zhvilluar nga komisariati Nr. 6 në Tiranë ka çuar në arrestimin në flagrancë të një 38-vjeçari, i dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale që lidhen me narkotikët dhe përmbajtje të publikuara në rrjetet sociale.
Sipas policisë, operacioni i koduar “Black Seed 2” u finalizua pas hetimeve të bazuara në informacione operative. Në pranga ra shtetasi J. L., banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të banesës së tij, efektivët sekuestruan një sasi të lëndës së dyshuar narkotike kanabis sativa, rreth 1500 fara të dyshuara kanabisi, një peshore elektronike si dhe dy pajisje që dyshohet se shërbejnë për bllokimin e valëve të komunikimit.
Nga hetimet paraprake dyshohet se farat e kanabisit posedoheshin me qëllim kultivimin dhe shitjen e lëndëve narkotike. Ndërkohë, autoritetet po hetojnë edhe aktivitetin e tij në rrjetin social Facebook, ku sipas policisë janë publikuar materiale me përmbajtje nxitëse për urrejtje, si dhe fotografi ku shfaqej një person duke mbajtur armë zjarri.
Materialet iu referuan Prokurorisë për vijimin e hetimeve lidhur me veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kanosja” dhe “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve”.



