Ish-anëtari i Kryesisë së PD, Genti Malko, duke folur në emisionin “Arnautistan” në MCN TV tha se Berisha është autoritar, por jo konservator. Ai theksoi se një nga arsyet përse nuk është në PD-në e Berishës, lidhet me faktin që kreu i PD ka ndryshuar diametralisht pozicionet, nga komunist, në liberal, dhe tani në konservator.
Nuk e gjej Berishën konservator, sepse më shumë se të tjerët nga 90 deri më sot ka lëvizur në pozicione diametralisht të kundërta, komunist, liberal, konservator. Unë e njoh autoritar, por jo konservator. Berisha është politikani më pragmatist që mund të ketë ky vend. Një nga arsyet përse nuk jam te PD e Berishës është që s’besoj te një njeri që ideologjinë dhe konceptin e vlerave e ka pasur kaq të lëkundshëm. Po të shohim te vendimet që ka marrë, Berisha rezulton më pak konservator. Në raport me interesin kombëtar ka qenë më tolerant se të tjerët”.
Malko u shpreh se beson te vlerat konservatore, duke shpjeguar arsyet përse ishte në favor të Brexit.
Unë dua të jem evropian, por ndaj vlerat konservatore. Ky është konflikti që ndan edhe vet BE-ja. Ne shqiptarët prandaj jemi evropianë, dhe prandaj duam të jemi brenda BE-së, sepse ti je liberale unë jam konservator, por ndaj të njëjtin frymëzim për vlerat e lirisë. Kam qenë në favor të Brexit. Në favor të Brexit apo jo ka të bëjë me vlerat, liberale apo konservatore. Britanikët votuan me një diferencë të vogël për vlerat konservatore. Edhe Evropën e shoh te vlerat konservatore. Çfarë të keqe ka të identifikohemi me vlera të cilat njerëzimi për mijëra vjet i ka konsoliduar, si kombi, familja, besimi. Morali jonë është i skalitur thellësisht te vlerat e besimit. Mendoj që Perëndimi, është ndarë 50 me 50 për qind. Edhe për ata që janë ateistë do pranojnë që morali është skalitur mbi këto vlera”.



