Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore Damian Gjiknuri ka folur për median pas mbledhjes ku u diskutua për financimin e partive politike në fushata zgjedhore.
Gjiknuri, ka deklaruar se propozimet që kërkon PD-ja për financimet e partive do të kërkojnë kohë, nderkohë që ka theksuar se ai është për financim miks.
Ai është shprehur se kanë rënë dakord me PD që financimi i fushatave zgjedhore të jetë miks, privat dhe shtetëror.
Sakaq më tej ai u shpreh se për këtë çështje po marrin edhe mendimin e ndërkombëtarëve.
“Që në hapat e parë, kemi bërë disa propozime që janë mbështetur dhe nga organizmat ndërkombëtarë për uljen e tavanit të shpenzimeve të partive ne zgjedhje. Çështja është sa do jetë nga shteti dhe sa nga fonde private.
Kemi lënë një tavan të pranueshëm që i lejon partive të bëjnë fushatën. Jemi duke u konsoliduar me ndërkombëtarët. Ligji i financimit të partive politike do të dojë më shumë kohë që të adresohet. Do adresojmë çështje të rëndësishme. Jemi për financimin miks. Edhe PD ka hequr dorë nga financimi 100 përqind publik.
Do të kërkojë angazhim më të madh nga shteti, por kemi një sistem të balancuar me kontribut shtetëror dhe privat. Janë edhe shumë elementë të tjerë garantues. Besoj do gjejmë një zgjidhje të pranueshme”, tha Gjiknuri.
Oerd Bylykbashi, përfaqësuesi i PD në Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore tregoi sot se cilat janë propozimet e bëra nga PD për të forcuar kontrollin mbi financimin e partive politike gjatë fushatës elektorale.
“Le të shpjegojmë propozimet e PD, që rregullon plotësisht financimin e partive dhe financimin në zgjedhje. Duhet të jetë një zgjidhje e vetme, - tha ai, - që garanton që partitë jo vetëm financohen siç duhet, por edhe transparenca të jetë e plotë dhe të mos ketë asnjë mundësi për t’u shmangur. Ky është qëndrimi ynë dhe do t’i qëndrojmë maksimalisht.
Propozimi i opozitës të bashkuar është një reduktim drastik i financimit që merret nga burime private duke e çuar në standarte ndërkombëtare në raportin 66% të financimit nga burime shtetërore dhe 33% nga burime private duke vënë një numër kufizimesh të forta për ata që do të financojnë.
Është një risi në propozimin tonë që ata që kanë marrë para nga taksat e shqiptarëve, tendera apo koncensione nuk mund të financojnë dhe kush financon subjektet politike, nuk mund të marrë për një periudhë të caktuar tendera apo koncensione nga shteti për të shmangur plotësisht kapjen e partive politike nga oligarkia.
Sigurisht ka dhe masa të tjera që do të pengojnë qartazi që para kriminale apo korruptive të futen në procesin zgjedhor. “

Duke komentuar edhe manifestimin e 2 marsit, të thirrur nga Presidenti për mbrojtjen e Kushtetutës, Rudina Hajdari u shpreh:
“Nëse do flasim sot për zbatimin e Kushtetutës, për të shprehur vullnetin politik për të përshëndetur vullnetin qytetar, për të qenë të përfaqësuar në Parlament, duhet të zbatojmë nenin 2 të kushtetutës. Pra nëse do vazhdojmë me këtë lloj retorike, nuk mjafton që të dalim nëpër sheshe e të ulërasim por të bëjmë hapa konkrete që ka të bëjë me hapjen e listave që njerëzit të kenë mundësi të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Kuvend. Po të shikoni situatën sot, kjo gjë nuk po ndodh. Deformimi që ka ndodhur me marrëveshjen e 2008-s, ka favorizuar në mënyrë të padrejtë, dy partitë kryesore dhe ata janë bërë të gjithëpushtetshëm në mënyrën se si i menaxhojnë zgjedhjet. Ne duhet të vazhdojmë përpara që ti tregojmë shqiptarëve që jemi këtu për ta. Urojmë që javës tjetër të vazhdojmë këtë mision që kemi nisur për hapjen e listave“.



