Bisedoi, Reldar Dedaj
Ndërkohë që shtetet anëtare të Bashkimit Europian miratojnë masa të ashpra të karantinës për të luftuar pandeminë me koronavirus, duke përfshirë edhe mbylljen e kufijve kombëtarë, mbylljen e shumë bizneseve dhe prezantimin e masave strikte për distancim shoqëror, është një vend në BE që është duke vepruar ndryshe deri më tani, Suedia.
Për të kuptuar pak më mirë se çfarë po ndodh atje, TVT.al ka biseduar me Johan Söderberg, inxhinier në profesion, i cili punon në një kompani programimi në Stockholm.
Söderberg na thotë se pavarësisht mungesës së një urdhri nga qeveria për të penguar daljet e panevojshme në qytet, ai ka kufizuar daljet shoqërore, takimet e ndryshme dhe nuk frekuenton më as baret apo restorantet, madje ka anuluar të gjitha udhëtimet jashtë shtetit dhe madje edhe ato jashtë Stockholmit, duke qenë se është një nga qytetet më të prekura nga pandemia në Suedi.
A ka ndryshuar diçka nga përditshmëria juaj në Suedi, përgjatë kësaj krize të shkaktuar si pasojë e virusit Covid-19?
Nuk mund të them se ka një ndryshim të madh tek unë, pavarësisht se për shumë kolegë të tjerë të cilët punojnë në kompani të ndryshme, puna nga shtëpia është një opsion që ata kanë zgjedhur t’a përdorin, me qëllimin për të shmangur grupimet e mëdha të njerëzve.
Unë punoj si inxhinier dhe për mua kjo gjë nuk është e mundur, ndaj dhe puna ime vazhdon në mjediset e kompanisë. Por, mund të them, se janë bërë ndryshime të tipit: mbledhjet tashmë bëhen me pak persona, duke u përpjekur të ruhet distanca ose shumë prej tyre realizohen përmes opsionit VideoCall.
Kompania që unë punoj, ka përgatitur një plan emergjence në rast se konstatojmë persona të prekur me Covid-19 në punë, por puna nuk do të ndalojë.
Për sa i përket jetës private, pavarësisht mungesës së një urdhri për të ndaluar qytetarët për të dalë, personalisht i kam kufizuar takimet dhe daljet shoqërore. Nuk frekuentoj më bare apo restorante, por ky është një vendim personal që jo të gjithë e kanë marrë.
Kam anuluar tërësisht udhëtimet jashtë shtetit dhe madje edhe ato jashtë Stockholmit, duke qenë se është një nga qytetet më të prekura nga pandemia në Suedi. Kjo do të thotë se nuk kam takuar asnjë pjesëtar të familjes, pasi ata jetojnë në një tjetër qytet.
A ndjeheni ju i frikësuar nga kjo pandemi?
Nuk ndjehem i frikësuar për vetveten, por do të thoja më shumë ndjehem i shqetësuar për familjarët e mij, të cilët janë të moshuar dhe të sëmurë, gjithashtu edhe për pamundësinë e sistemit shëndetësor dhe të punonjësve që do përballen me vijën e parë të luftës nëse shifrat ndryshojnë për keq. Një tjetër element që më frikëson është si do vejë ekonomia, pasi po parashikohet një rritje e madhe e papunësisë për shkak të virusit, ku shumë kompani dhe biznese s’do arrijnë dot t’i mbijetojnë krizës.
A mund të n’a thoni përshtypjet tuaja personale në lidhje me vendimin e qeverisë suedeze për të mos izoluar vendin, kur pjesa më e madhe e botës është karantinuar?
Qeveria suedeze ka vendosur që vendimet në lidhje me këtë krizë shëndetësore t’ia lë në dorë një organi të specializuar të quajtur Folkhälsomyndigheten (Agjencia e Shëndetit Publik).Mendoj se ata kanë marrë vendimet të mira deri më tani në lidhje me shëndetësinë në vend, prandaj edhe suedezët zgjedhin t’u besojnë vendimeve të tyre.
A ka diçka ndryshe në botëkuptimin e një suedezi që shkon përkundër mentalitetit botëror?
Unë mendoj se vendimi i marrë për të mos e vendosur shtetin në karantinë është marrë duke pasur besim se qytetarët do të ndjekin këshillat për distancim social. Në përgjithësi, suedezët janë një popull që i ndjekin rregullat dhe ligjet me seriozitet të madh. Gjithashtu, mund të them, se ka edhe nga ata që nuk janë të ndërgjegjshëm dhe vazhdojnë me jetën sociale; kafe e festa, pa menduar për pasojat. Kjo është pjesa jo shumë e mirë e kësaj zgjedhjeje për të mos marrë masa më të rrepta nga autoritetet suedeze. Por, koha do të tregojë, si gjithmonë, nëse vendimi i marrë ishte i duhuri apo jo.



