
Eksperti i energjisë Azmer Duleviç duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV e konsideroi si “të pakuptimtë dhe të paprecedentë” transaksionin e fundit të KESH ndërkohë që tashmë kemi një bursë të energjisë elektrike. Sipas Duleviç-it kemi një keqmenaxhim për të cilin duhet të jepen shpjegime. Ai shton se “këtë moment mund të themi që bursa mund të jetë një dështim i radhës, njësoj si dy satelitët”.
Pyetjes, përse KESH e ka shpërfillur bursën e energjisë dhe nuk po e tregton energjinë?, Duleviç i përgjigjet:
Pikësëpari sa i përket transaksionit të fundit të ndërmarrë nga ana e KESH për shitjen e energjisë, është e paprecedentë dhe e pakuptimtë në këtë moment, pasi nga data 11 prill ne e kemi bursën Alpex dhe nuk ka asnjë justifikim nga ana e KESH-it pse kjo energji nuk po tregtohet në bursën Alpex, dhe mos flasim për çmimin shumë të ulët që energjia e tepër që ka prodhuar dhe do të prodhojë KESH nga data 2 deri në 5 maj, është kontaktuar që do shitet me një çmim rreth 64 euro megavat/orë, që është një çmim shumë më i ulët referuar bursave europiane, kryesisht austriake apo hungareze në të njëjtën fashë ditore dhe orare.
Përsëri edhe nëse krahasojmë kontraktimin e energjisë që KESH ka bërë për shitjen në 4 lotet e energjisë në këto data, përsëri është më i ulët se sa çmimi referuar bursave europiane. Këto 2,6 milionë euro që do arkëtohen, do ishim më tepër. Kemi direkt një keqmenaxhim që vetëm drejtuesit e KESH ose përfaqësuesit e ministrisë përkatëse duhet të japin shpjegime. Në rast të kundërt i bie që bursa s’paska asnjë vlerë dhe këto 4,4 milionë euro që ka kushtuar bursa kanë qenë të tepërta. Në këtë moment mund të themi që bursa mund të jetë një dështim i radhës, njësoj si dy satelitët”
Energjia elektrike që prodhohet nga hidrocentralet nuk mund të ruhet dhe gjatë ditës energjia që prodhohet shkon për konsum vetjak, nevojat e vendit, dhe gjatë natës ka teprica, që ose duhet të depozitohen në Kosovë, me marrëveshje dhe t’i marrim gjatë verës, ose në rastin e kundërt duhet t’i shesim. Për këtë arsye duhet të jetë bursa, për të rregulluar çmimet. Në momentin që KESH bën transaksione për shit-blerje pa marrë pjesë në bursë, patjetër ngre dyshime. Nëse i referohemi faqes zyrtare të KESH ka bërë edhe një kërkese për blerje energjie 5-vjeçare. Nëse do sigurojë energjinë deri në vitin 2028, ku nëse do sigurojë nevojën deri në 2028-ën KESH, i bie që sërish s’do marri pjesë në bursë. Këto janë disa kontradikta që ka KESH me bursën Alpex”.
Duke cituar raportin e KLSH, eksperti thotë se dëmi financiar që KESH i ka shkaktuar buxhetit të shtetit shkon në 503 milionë euro.
KLSH ka nxjerrë një raport ku kemi një keqmenaxhim të sektorit elektro-energjetik në vitin 2022 dhe fillim të vitit 2023, dhe dëmi financiar që KESH i ka shkaktuar buxhetit të shtetit është 503 milionë euro. Janë taksa të marra nga qytetarët shqiptarë për blerje energjie. 2,6 milionë euro që ka arkëtuar së fundmi KESH janë një pikë uji, krahasuar me financave dhe borxhit nga buxheti i shtetit”.
Ai tha se fakti që transkasionet ndodhen dy javë para zgjedhjeve lokale lënë hapësirë për dyshime.
Ne jemi para fushatës dhe kur ndodhin këto transaksione, askush s’mund ta thotë me siguri, sepse nëse do e thoshim duhet Prokuroria të vepronte, por ne ngremë dyshime, pse pikërisht më 1 maj kur pas disa javësh janë zgjedhjet vendore?! Kur ndodhin këto transaksione kryesisht para zgjedhjeve ngrihen dyshime dhe të gjitha opsionet janë të mundshme. Institucionet përkatëse duhet të bëjnë një studim më të detajuar si qëndron situata faktike. Në vendin tonë mungon institucioni i mbajtjes së përgjegjësisë nga drejtuesit e institucioneve. Sa i përket opozitës, opozita ka mbi një vit që s’flet për situatën elektro-energjetike. Nuk e kuptoj, çdo opozitë në botë do përfitonte politikisht nga situata. Unë ngre dyshime ose s’kanë informacion, ose janë të paaftë, ose s’kanë burime njerëzore, ose janë të përfshirë”.
I pyetur, a ka indicje për nisje hetimesh, Duleviç thotë:
Po patjetër. Kemi një raport të KLSH, është dokument zyrtar, e zeza mbi të bardhë, që thotë kemi një keqmenaxhim të sektorit elektro-energjetik. Të paktën në gusht të 2022-shit deri në përfundim të vitit 2022. Edhe këto dy TEC-et lundruese për të cilat nuk flet njeri, do t’i kushtojnë taksave të qytetarëve 94 mijë dollarë në ditë, vihen apo s’vihen në punë. KLSH thotë që kanë qenë lëvizje e gabuar, sepse edhe nëse vihen në punë, krahasuar me çmimin e bursës, kostoja e prodhimit të një megavat/orë është shumë herë më e madhe se sa mund ta blejmë në bursë.
Ka indicje që duhet të ketë hetim, jo nga deklaratat tona, por nga KLSH. Jemi në një moment kur kemi prodhim energjie. Problemi është në muajit në vijim. Jemi drejt verës, ku reshjet dhe rezerva hidrike ulet dhe do detyrohemi të blejmë energji. Por duke parë projeksionet europiane fatmirësisht çmimet e energjisë nuk priten si vitin e kaluar. Situata duket më e stabilizuar”.



