Shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore ka nxitur Bankën e Shqipërisë të rishohë normën bazë të interesit, duke e ulur atë në minumimun historik.
Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ulë normën bazë të interesit nga niveli 1% në nivelin 0.5%, të ulë normën e interesit të kredisë debitore nga 1.9% në 0.9% dhe të mbajë të pandryshuar normën e depozitës debitore në nivelin e 0.1%.
Sipas Sejkos, marrja e një vendimi të tillë ishte i nevojshëm për të nxitur kreditimin e bankave. Guvernatori tha se Banka e Shqipërisë do të mbajë nën monitorim situatën gjatë kësaj periudhe.
Ulja e normës bazë të interesit është një masë e nevojshme për reduktimin e kostos së huamarrjes së re, për reduktimin e kostos së shërbimit të borxhit ekzistues dhe për lehtësimin e qarkullimit të likujditetit në bizneset dhe familjet shqiptare. Shqipëria gëzon shëndet të mirë ekonomik dhe financiar. Parametrat e funksionimit të ekonomisë dhe sektorit bankar janë të shëndetshëm. Rezervat e likujditetit dhe kapitalit bankar janë të larta.
Ky vendim vjen pak ditë pas urdhrit të firmosur prej guvernatorit dhe kryeministrin për shtyrjen për të paktën 3 muaj të afatit të kredive. Si pjesë e planit financiar, qeveria ka vendosur një fond garancie sovrane prej 100 milionë eurosh për të gjitha bizneset e mëdha të cilat do të kërkojnë kredi me normë interesi zero për shlyerjen e pagave të punonjësve.



