
Çokollata e zezë rrit imunitetin, ndikon pozitivisht në shëndetin e zemrës dhe në kujtesë. Por studimet e fundit kanë zbuluar se shkalla e këtyre efekteve ndryshon nga lloji i çokollatës që konsumojmë. Ekipi i studiuesve në Loma Linda University zbuloi se çokollata me mbi 70% kakao rrit qarkullimin e gjakut dhe redukton inflamacionin. Për më tepër, ata që hanë çokollatën më të errët kanë më pak stres dhe imunitet më të fortë.
Kakaoja është e pasur me flavonoide, antioksidante që gjenden te frutat dhe perimet dhe që luftojnë inflamacionin. Por përveçse luajnë rol vital në sistemin imunitar, ato luftojnë kancerin, sëmundjet e zemrës, diabetin, demencën dhe depresionin.
Për dobitë e saj në shëndetin e trurit, çokollata u sugjerohet sidomos atyre që vuajnë nga pagjumësia apo që punojnë me turne. Po ashtu, eksperimentet kanë treguar se doza ditore të konsumuara nga të moshuarit e përmirësojnë funksionimin e trurit të tyre. Efektet pozitive të çokollatës së zezë janë provuar edhe te të moshuarit që shfaqin shenjat e para të rënies së kujtesës, që mund të çojnë më vonë në shfaqjen e Alzajmerit. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



