Gjigandi amerikan i energjisë ExxonMobil po padit BE-në në një përpjekje për të detyruar bllokun të heqë taksën e re të papritur mbi firmat e naftës. Një taksë e papritur vendoset për firmat që përfituan nga diçka për të cilën nuk ishin përgjegjëse.
Firmat e energjisë po marrin shumë më tepër para për naftën dhe gazin e tyre, pjesërisht për shkak të shqetësimeve të furnizimit si rezultat i pushtimit rus të Ukrainës. Por Exxon akuzon Brukselin për tejkalim të autoritetit të tij ligjor, duke e quajtur masën "kundërproduktive". ExxonMobil raportoi një fitim tremujor prej gati 20 miliardë dollarë (17.3 miliardë £) në tetor.
Cila është taksa e papritur për kompanitë e naftës dhe gazit?
Në shtator, shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen njoftoi planin që kompanitë kryesore të naftës, gazit dhe qymyrit të paguajnë një "kontribut krize" për fitimet e tyre të rritura në vitin 2022.
U njoftua një taksë prej 33% mbi fitimet e këtij viti, të cilat ishin mbi 20% më të larta se mesatarja e tre viteve të mëparshme. Por Exxon argumenton se taksa dekurajon investimet dhe minon besimin e investitorëve, në një sfidë të paraqitur në Gjykatën e Përgjithshme të BE-së me qendër në Luksemburg.
"Nëse ne investojmë këtu varet kryesisht nga sa tërheqëse dhe konkurruese do të jetë Evropa globalisht," tha zëdhënësi i Exxon, Kejsi Norton për agjencinë e lajmeve Reuters.
Në një takim investitorësh në fillim të këtij muaji, shefi financiar i ExxonMobil vlerësoi se taksa e BE-së do t'i kushtonte grupit "mbi 2 miliardë dollarë". Komisioni Evropian tha se "merr parasysh" aplikimin ligjor të Exxon dhe tha se "tani do të jetë në dorën e Gjykatës së Përgjithshme për të vendosur mbi këtë rast", raportoi Financial Times.
BE-ja po përpiqet kryesisht të heqë dorë nga energjia ruse, por kjo e ka lënë atë të përpiqet për burime alternative, më të shtrenjta.



