
Vaksina e zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit dhe AstraZeneca Plc siguron mbrojtje kundër formave të rënda të Covid-19. Ky është përfundimi i një studim që është bërë së fundmi mbi vaksinën. Megjithatë, në lidhje me të ka ende pikëpyrtje për efektivitetin që mund të ketë te të moshuarit, sidomos atyre që kanë më shumë gjasa të preken dhe të virusi.
Rezultatet e testeve u botuan të martën në revistën mjekësore “Lancet”. Sipas tyre, vaksina parandalon simptomat më të rënda. Megjithatë, efikasiteti i vaksinës nuk mund të vlerësohej në grupmoshat më të vjetra, sepse nuk pati mjaftueshëm infeksione, tregojnë të dhënat.
Meqenëse të moshuarit u bënë pjesë e studimit më vonë sesa të rinjtë, "ata kanë pasur më pak kohë që rastet të grumbullohen në ato grupmosha dhe që ne të jemi në gjendje të matim një sinjal efikasiteti", tha Andrew Pollard, studiuesi kryesor në testet që u bënë në Oksford. "Provat që kemi deri më tani mbi përgjigjen imune sugjerojnë shumë se ka të ngjarë të jenë nivele të ngjashme të mbrojtjes në të gjitha moshat."
Ky përfundim vjen në të njëjtën ditë kur Britania nisi vaksinimin e popullsisë së saj kundër sëmundjes, vendi i parë perëndimor që e bën këtë hap, duke përdorur një vaksinë të zhvilluar nga Pfizer Inc. dhe BioNTech SE. Qeveritë e botës janë në përpjekje për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit, i cili ka marrë më shumë se 1.5 milion jetë dhe ka shkatërruar ekonomi të tëra.
Astra Zeneca është parë si vaksina që ka më shumë gjasa të mbërrijë në Shqipëri, kjo për shkak të kostos së ulët dhe kushteve të ruajtjes dhe transportit, të përballueshme për infrastrukturën që ka vendi ynë.



