
Ekspertja e punësimit, Kumrie Zika, thotë se politizimi i administratës e ka bërë të domosdoshëm reformimin e saj. Sipas Zikës, kriteret e punësimit në disa raste janë absurde dhe kjo i ka dekurajuar të rinjtë.
Nuk është një lloj frike më shumë sesa një mungesë besimi ndaj administratës. Janë disa kritere absurde që skualifikojnë individë që nuk kanë një librezë pune. Duhet parë edhe njëherë mënyra si janë vendosur kriteret.
Duhet reformim i administratës. Për vite kanë mbajtur individë politikisht, administratës i ka ardhur koha të riformatohet. Të punuarit në administratën publike të jep siguri dhe një pension të garantuar, të jep mundësi karriere.
Mua më frikëson të shkoj të kandidoj në administratë. Pastaj pyetja pse unë skualifikohem. Bëhet e vështirë procedura.
Të rinjtë nuk afrohen më, sepse nuk janë ndërtuar politika motivuese. Ka largim dhe jo afrim drejt administratës. Ka ardhur koha që të rinjtë të japin një model të ri, me një frymë të re veprimi dhe punësimi.
Zika shtoi se nevoja për reformimin e administratës shihet edhe te mënyra sesi e shohin shumë prej individëve që janë në tregun e punës.
Nuk do thosha se privati konkurron shtetin. Në privat punohet më shumë dhe me orare më të gjata, pushime ka më pak. Nuk krahasohet puna në shtet me privatin. Ne e dimë shumë mirë sa komode është një punë në shtet dhe sa merret me përgjegjshmëri. Nuk duhet parë puna në shtet si vend për të bërë qejf.



