Ka kaluar plot 1 dekadë që kur Trans Adriatic Pipeline u përzgjodh projekti fitues që do të transmetonte gazin natyror nga fushat e Shah Denizit II të detit Kaspik në Azerbajxhan drejt Europës. Një investim 32 miliardë euro dhe me aksionerë kompani të njohura në fushën e lëndëve djegëse tashmë do të kalonte përmes Shqipërisë. Shteti i parë pritës i tubacionit TAP është Greqia ku projekti prej 550 kilometra të territorit për të mbërritur në tokën shqiptare përmes Bilishtit dhe për të kaluar 215 kilometra dhe 105 kilometra të përshkruhen përmes detit Adriatik ku dhe mbërrin në Itali. Pjesa e ndërtimit të gazsjellësit në Itali është më e shkurtër, 8 kilometra, aty më pas lidhet me degëzimin e SNAM, tubacion i ndërtuar nga kompania publike italiane e cila më pas çon gazin drejt Europës Qëndrore dhe Veriore. Përzgjedhja e TAP mbi projektin Nabuko apo disa të tjerë që e konkurronin, ishte në fat për vendin tonë. Në qershor të vitit 2013, Trans Adriatic Pipeline u zgjodh projekti fitues i cili do të zbatohej nga konsorciumi i firmave British Petrolem, SNAM, Enagas, Socar, Fluxys dhe AXPO, ndërmarrje gjigande në shpërndarjen e burimeve të energjisë në botë. “Me këtë arritje Shqipëria bëhej gjeopolitikisht shumë e rëndësishme sepse i kalonte një tubacion i rëndësishëm dhe bëhej pjesë e rrjetit europian të gazit që në afatgjatë ka përfitime të shumta.” thotë Suzana Guxholli, rektore e Universitetit Barleti. Kalimi i gazsjellësit TAP tashmë do të shënonte një histori të re në përdorimin e burimeve të energjisë për Shqipërinë. Miliona euro projekte dhe masterplane u sponsorizuan nga donatorë të huaj dhe shteti shqiptar për të zhvilluar mundësitë e shfrytëzimit të gazit dhe ndërtimit të infrastrukturës për shpërndarjen e tij. Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi janë 3 vendet e vetme në Europë që nuk lidhen me sistemin e transmetimit të gazit dhe janë tërësisht të izoluara. Në të shkuarën, vendi ynë kishte një sektor efiçent të prodhimit dhe shpërndajres së gazit, por jo më. Prodhimi i gazit është ulur nga 1 miliard metër kub në vitin 1982, në 0.01 miliard vitet të fundit. Fushat e gazit në Divjakë, Delvinë dhe Frakull janë të vetmet që prodhojnë gaz dhe rrjeti i brendshëm i transmetimit është jashtë funksionit. Nga 498 kilometra tubacion të shpërndarjes së gazit, i vetmi i operueshëm është ai që lidh fushën gazmbajtëse të Delvinës me rafinerinë e dikurshme të Ballshit. “Gazifikimi është pjesë integrale e konceptit energjitik, është një nga lëndët prodhuese të energjisë në të gjithë Europën. Prej 30 vjetësh Shqipëria nuk prodhon më gaz vetë dhe ndërkohë ka degraduar i gjithë sistemi i transmetimit dhe shpërndarës që ka patur dikur. Në të shkuarën ka patur disa Tec-e në jug të vendit që punonin me gaz dhe kjo lëndë përdorej nga vendi ynë, madje ka qënë dhe lëndë energjie në qytetin e Kuçovës për përdorim familjar.” thotë Klodian Gradeci, ekspert për hidrokarburet dhe energjinë. Në më shpejt se 1 dekadë, brenda 7 vjetësh, gazsjellësi Trans Adriatik u ndërtua në 878 kilometrat e tij duke patur dhe sfida të mëdha inxhinierike. Pika më e lartë në mallet shqiptare ku u vendos tubacioni është 2100 metra mbi nivelin e detit dhe më e ulta është 810 metra në thellësi të ujrave në detin Adriatik. Pavarësisht këtyre sfidave, në vitin 2020 tubacioni TAP nisi testimin dhe një vit më parë u arrit transmetimi i sasive të para të gazit. Në Shqipëri, të gjitha takimet, konferencat, premtimet dhe masterplanet që kushtuan miliona euro kanë mbetur aty ku u thanë. As një metër tubacion transmetimi gazi nuk është ndërtuar Argumenti kryesor që qeveria përdori për ngrirjen e investimeve në infrastrukturën e gazit ishte mungesa e kuotave nga konsorciumi i TAP. Për këtë ia hodhi fajin ish kabinetit Berisha që nuk kishte arritur të negocionte sasitë që i duheshin Shqipërisë. “Qeveria e mëparshme ka bërë shumë që të përzgjidhej projekti TAP, sepse ishte një luftë e madhe politike, sa nuk mund të shpjegohet, por e dinë vetëm ata që kanë qënë pjesë. Sa takime, udhëtime, vënie përballë njëri-tjetrit që të vendosej që TAP të kalonte nga Shqipëria, Pjesa e dytë ishte që të hynte në negociata konkrete, iku u rrëzua me votë, i binte qeverisë tjetër ta fillonte këtë proces, megjithatë nuk është asnjëherë vonë, po ta kishte filluar që në atë kohë dhe konsorciumi të shihet që kishte treg këtu do të kishim gaz dhe përdorim të tij.” thotë Suzana Guxholli, rektore e Universitetit Barleti. Por në vitin 2016 Shqipëria arriti që të dakordësonte marrjen e një sasie gazi që shkon nga 0.7 deri në 1.5 miliard metër kub në vit, sasi që do të ishte e mjaftueshme për disa projekte industriale dhe furnizimin e konsumatorëve në trekëndëshin Vlorë – Fier – Berat dhe qyteteve me popullsi të dendur si Tirana dhe Durrësi. “U nxit një kuadër i tërë rregullator jo vetëm në funksion të TAP por dhe të shfrytëzimit të të gjithë resurseve pasi çdo vend burim nafte ka dhe gaz natyror dhe rishikimi i marrëveshjes për përfitueshmërinë e Shqipërisë nga TAP duhet ta kishin vënë vendin në pozita tashmë jo thjesht konkurruese, por mbizotëruese në rajon”, thotë Eduart Gjokutaj, ekspert për ekonominë. Deri tani TAP është vetëm në letër. Në një raport të Entit Rregullator të Energjisë thuhet se në të ardhmen tubacioni do të jetë i rëndësishëm jo vetëm ekonomikisht për vendin tonë por do të fuqizojë pozitat rajonale duke e bërë një furnizues kryesor të gazit për pjesën e ballkanit verior. Plani është që në të ardhmen TAP të lidhet me një nyje 170 km nga Fieri për të kaluar në Malin e Zi, Bosnjë – Hercegovinë dhe për të përfunduar në Kroaci, ku do të lidhet me sistemin e transmetimit të gazit Plinacro. Por në projektin për ndërtimin e tubacionit Ionian-Adriatic është lënë pa u përfshirë Kosova. Kosova mendohet të lidhet me tubacionin e gazit me Shqipërinë përmes një projekti tjetër që quhet ALKOGAP, por për ndërtimin e kësaj infrastrukture është bërë vetëm harta se ku do të kalojë gjurma e tubacionit dhe mungon fizibiliteti dhe kosto e projektit apo afatet se kur do të jetë gati. Projekti deri më sot nuk mendohet të jetë fizibël dhe disa fonde të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndërtimin e një tubacioni gazi qeveria e Kosovës ia ndryshoi destinacionin për të investuar në një park me bateri. “Aksionerët e këtij tubacioni do të jenë 4 operatorët e transmetimit përkatës të çdo vëndi ku do të kalojë tubacioni, me kuota pronësie të barabartë, prej 25%. Aktualisht, angazhimi i secilit entitet është shprehur me anë të draftimit të Marrëveshjes Aksionare (Shareholder Agreement), e cila pritet që së shpejti të nënshkruhet, duke themeluar kështu Kompaninë Projekt “IAP”, thuhet në raportin vjetor 2022 të Entit Rregullator të Energjisë. Në 10 vjet, asnjë nga afatet që Shqipëria kishte vendosur për të zhvilluar sektorin e gazit nuk është arritur. Kërkesat më të shpeshta pranë Entit Rregullator të shoqërisë publike të transmetimit të gazit Albgaz, janë për shtyrje të afateve, ndërsa vetë qeveria ka ndryshuar disa herë qasjen për zhvillimin e sektorit të gazit dhe burimet nga do të merren sasitë për furnzimin dhe shpërndarjen e vendit dhe rajonit.



