Më shumë se 150 bomba nga Lufta e Dytë Botërore janë gjetur nën një shesh lojërash në Anglinë veriore, duke shtuar shqetësimin se mund të ketë më shumë se kaq.
Bombat u zbuluan ndërsa një projekt ndërtimi ishte duke u zhvilluar për të rinovuar këndin e lojërave Scotts Park në Wooler, një qytet i vogël në Northumberland, Anglia veriore, që ndodhet pranë kufirit me Skocinë.
New York Times raportoi se punëtorët gjetën një “objekt të dyshimtë” më 14 janar teksa gërmonin.
Por rezultoi se ishte një bombë praktike, ose një bombë jo shpërthyese e përdorur për stërvitje, e cila mund të jetë ende e dëmshme.
Këshilli i Famullisë Wooler punësoi Brimstone Site Investigations, një kompani që është e specializuar në municione të pashpërthyera, për të hetuar vendin, thanë zyrtarët e këshillit në një deklaratë për mediat.
Brimstone mbërriti më 23 janar për një hetim dy-ditor, por shumë shpejt u bë e qartë se shkalla e problemit ishte shumë më e madhe nga sa pritej.
Ditën e parë, Brimstone identifikoi 65 bomba praktike, secila me peshë 10 kilogramë, si dhe fishekë.
Në ditën e dytë të punës në vend, Brimstone gjeti 90 bomba të tjera praktike dhe i transportoi ato në mënyrë të sigurtë në një zonë të caktuar magazinimi, shkroi këshilli.
Ministria Britanike e Mbrojtjes ka urdhëruar një hetim të plotë të vendit.
Edhe pse bombat janë bomba praktike, ato mbajnë ende një ngarkesë dhe kërkojnë heqjen nga specialistët, tha këshilli i famullisë në një deklaratë.
Ato u gjetën me fitilin dhe përmbajtjen ende të paprekur dhe se një shpërthim i detonatorit ashtu edhe tymi që përmban mund të jenë ende potencialisht të rrezikshëm.
Një zëdhënës i Këshillit të Qarkut Northumberland e përshkroi zbulimin si “të papritur”.
Mark Mather, një zyrtar lokal, i tha BBC-së se rreth një e treta e parkut ishte pastruar dhe se mund të kishte më shumë bomba.
Ai shtoi se Wooler ishte një qendër trajnimi për Gardën e Brendshme, një milici qytetare vullnetare që konsiderohej linja e fundit e mbrojtjes kundër gjermanëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.



