
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka uruar sot besimtarët katolikë shqiptarë dhe në mbarë botën për zgjedhjen e Papës së ri, Shenjtërisë së Tij, Papa Leoni XIV.
“Urime katolikëve shqiptarë dhe atyre të gjithë botës për zgjedhjen e Papës së ri!”, shkroi Presidenti Begaj në rrjete sociale.
Presidenti shprehu bindjen se Papa Leoni XIV do të luajë një rol të rëndësishëm në forcimin e bashkëjetesës ndërfetare dhe në promovimin e paqes globale:
“Shpreh bindjen se Ati i Shenjtë, Papa Leoni XIV, do të kontribuojë me gjithë fuqinë dhe autoritetin e tij në shërbim të kauzës sublime të forcimit të klimës së bashkëjetesës paqësore midis të gjitha besimeve.”
Në përfundim të mesazhit të tij, Presidenti Begaj, në emër të popullit shqiptar, uroi që Papa i ri të jetë nën mbrojtjen e Zotit në përmbushjen e misionit të tij të shenjtë në krye të Selisë së Shenjtë.



