
Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka ftuar homologun rus në Shtëpinë e Bardhë. Lajmi është bërë i ditur sot nga një këshilltar i Kremlinit, raportojnë mediar ruse dhe agjencia Associated Press.
Ftesa është bërë gjatë një bisede telefonike kur presidenti amerikan përgëzoi Putinin për rizgjedhjen si president i Rusisë më 20 mars, bëri të ditur Yuri Ushakov, këshilltar i Putinit.
SHBA-të dhe Rusia kanë bërë të ditur prej kohësh se dy liderët janë të gatshëm për një takim të tillë.
Telefonata që Trump i bëri Putinit për ta uruar është kritikuar shumë, madje edhe brenda gjirit të republikanëve. Kjo për shkak se shumë zyrtarë amerikanë e konsiderojnë procesin zgjedhor në Rusi një turp, ndërsa Putinin e akuzojnë se ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane, në mënyrë që të fitonte Trump-i.
Tensionet mes dy vendeve janë shtuar që helmimit të ish-agjentit rus Skripal në Londër, që u pasua me dëbimin e diplomatëve rusë nga vendet perëndimore dhe vetë SHBA-të.



