
Nishanet janë rritje të vogla dhe zakonisht të errëta në lëkurë, që zhvillohen nga qelizat që prodhojnë pigmentin, të quajtura melanocite.
E ftuar në “Zgjohu me MCN”, mjekja dermatologe Monika Fida shpjegon se, megjithëse shumica e nishaneve janë të padëmshme, disa prej tyre, veçanërisht nishanet jonormale ose atipike, mund të shndërrohen në melanoma me kalimin e kohës.
Sipas dermatologes, jo çdo lezion në lëkurë quhet nishan.
Në gjuhën e përditshme, shumë formacione në lëkurë quhen “nishane”, por në të vërtetë ekzistojnë struktura të ndryshme që mund të marrin pamjen e një nishani.
Lezionet ndahen në lezione beninje (të padëmshme) dhe lezione me risk për transformim malinj.
Për këtë arsye, është e domosdoshme fjala e specialistit.
Një dermatolog i mirë duhet të njohë jo vetëm lëkurën, por edhe anekset e saj, si thonjtë dhe mukozat, pasi edhe karcinomat mund të shfaqen në këto zona.
Një nga mënyrat kryesore për të vlerësuar një nishan është metoda e njohur si kriteret A, B, C, D, E, që janë A-Asimetria: kur nishani nuk është simetrik, B-Bordurat: kur kufijtë janë të parregullt, C-Ngjyra, kur ka më shumë se një ngjyrë ose nuanca të ndryshme, D-Diametri: kur diametri rritet (zakonisht mbi 6 mm) dhe E-Evolucioni: çdo ndryshim në madhësi, formë, ngjyrë apo strukturë.
Nëse një nishan fillon të rritet, ndryshon ngjyrë, ka kufij të çrregullt apo pëson evolucion, kjo duhet të tërheqë vëmendjen për një vizitë te mjeku dhe vendosjen e diagnozës së saktë.
Dermatologia flet edhe për mitin, që nishanet nuk duhen prekur, gjë që sipas saj, bën që pacienti të vonohet për konsultë më mjekun specialist.
Shumë persona besojnë se nishanet nuk duhen prekur, çka shpesh i bën të paraqiten vonë te mjeku.
Por, një melanomë e diagnostikuar në fazat e hershme trajtohet me sukses dhe nuk paraqet rrezik serioz.
Personat që kanë mbi 50 nishane konsiderohen më të rrezikuar për zhvillimin e melanomës dhe rekomandohet të kryejnë kontroll dermatologjik dy herë në vit.
Ekzistojnë gjithashtu faktorë të tjerë rreziku, ndaj është e rëndësishme që çdo individ me predispozitë apo histori familjare të jetë më i vëmendshëm dhe të kryejë kontrolle të rregullta te dermatologu.



