
Shifrat e publikuara nga INSTAT për vitin akademik 2025-2026 tregojnë një rënie me 6.8% të numrit të studentëve, ndërsa krahasuar me një dekadë më parë, auditorët e universiteteve shqiptare kanë rreth 35 mijë studentë më pak.
Njohësja e arsimit dhe ish-zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj, në një analizë për “MCN Live”, renditi disa nga arsyet që po nxisin largimin e të rinjve nga Shqipëria.
Fenomeni i emigrimit nuk lidhet vetëm me cilësinë e arsimit, por edhe me cilësinë e jetës dhe perspektivën që të rinjtë shohin për të ardhmen e tyre.
Pse largohen të rinjtë sapo mbarojnë maturën? Analizat e deritanishme tregojnë se Shqipëria, për fat të keq, ka një tendencë të vazhdueshme të zbrazjes së popullsisë.
Po përballemi me një ikje masive, ku largohen jo vetëm maturantët, por shpesh edhe familjet e tyre.
Ajo theksoi se vendimi për t'u larguar ndikohet nga nevoja për më shumë siguri, garanci për të ardhmen dhe mundësi më të mira jetese.
Malaj shtoi se tranzicioni i gjatë që ka përjetuar vendi ka krijuar lodhje dhe pasiguri sociale te qytetarët.
Nuk është vetëm çështje e cilësisë së universiteteve.
Njerëzit kërkojnë cilësi jete, siguri dhe mundësi për të ndërtuar të ardhmen e tyre.
Jeta është vetëm një herë dhe shumë të rinj zgjedhin vendet ku mendojnë se mund të realizojnë më mirë potencialin e tyre.
Tranzicioni i tejzgjatur i ka lodhur të gjithë. Kjo ka sjellë pasoja sociale dhe psikologjike që ndikojnë edhe te fëmijët dhe të rinjtë.
Për shumë prej tyre, zgjidhja duket të jetë largimi në vende ku besojnë se mund të ndërtojnë një jetë më të mirë dhe të realizohen si qytetarë.
Ky është një realitet që duhet pranuar dhe analizuar me seriozitet, në mënyrë që të gjenden politika dhe zgjidhje konkrete për të frenuar largimin e të rinjve nga vendi.
Sipas Malajt, nëse nuk ndërmerren reforma serioze në arsim dhe nuk përmirësohen kushtet për mësuesit, vendi rrezikon të përballet me mungesë të theksuar të stafit pedagogjik në vitet e ardhshme.
Sistemi i kapjes së institucioneve dhe qasja që u ofrohet qytetarëve kanë krijuar një klimë mosbesimi.
Klasa politike ka prerë besimin e qytetarëve dhe ka deformuar edhe rolin e deputetit, i cili duhet të jetë përfaqësues i interesave të qytetarëve.
Nuk ka arsim cilësor pa kosto. Qytetarët shqiptarë kontribuojnë me taksat e tyre për arsimin, por kur vjen momenti për të përfituar nga ky investim, shumë prej tyre ndihen të zhgënjyer dhe mendojnë se nuk po marrin atë që meritojnë.
Nëse vazhdojmë me të njëjtat politika dhe me të njëjtën qasje ndaj arsimit, ju garantoj se në vitin 2030 do të përballemi me një mungesë të madhe mësuesish.



